Pas përfundimit të mbledhjes së qeverisë, ministrat kanë dalë një nga një duke bërë me dije vendimet që janë marrë në mbledhjen e sotme.
Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja njoftoi për një marrëveshje me Spanjën, për ekstradimet. Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu foli lidhur me 2 vendime për vendosjen e fondeve në dispozicion për përmirësimin e shërbimeve lidhur me përballimin e COVID-it. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, nga ana tjetër bëri me dije se janë miratuar një sërë shpronësimesh për të vijuar punët infrastrukturore në disa qytete të vendit.
Ulsi Manja – Marrëveshje me Spanjën për ekstradimet
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja ka njoftuar për arritjen e një marrëveshje të re të Shqipërisë me Spanjën për ekstradimet.
Manja tha se tashmë shqiptarët që kanë kryer krime në Spanjë nuk mund të gjejnë strehë në Shqipëri dhe anasjelltas.
“Sot në Këshillin e Ministrave i hapëm rrugë marrëveshjes mes Spanjës e Shqipërisë për ekstradimet. Shenjë e besimit të fortë, natyrisht Shqipëria ka patur dhe ka bashkëpunim me Spanjën në fushën penale edhe sot, pro bazohet në Konvetën Europiane të 1957.
Nëpërmjet kësaj marrëveshje të re me Spanjën. Eleminojmë një pengesë ligjore mes dy vendeve, që ka të bëjë me rezervën ligjore me të cilën Shqipëria ka ratifikuar për moslejimin e shtetasve shqiptarë drejt Spanjës dhe anasjelltas. Eleminohet kjo. Me Spanjën, autoritetet tona gjyqësore do të lejojnë ekstradimin e shqiptarëve drejt Spanjës dhe anasjelltas.
Kjo forcon bashkëpunimin mes autoriteteve gjyqësore, të përmirësojë ekstradimin, por dhe instrument shtesë. Një sinjal i qartë për botën e krimit, që çdo shtetas shqiptar që kryen një krim në Spanjë nuk gjen strehim në Shqipëri, apo nëj spanjoll që gbën krim në Shqipëri, nuk mund të strehohet në Spanjë.
Nuk një shifër të saktë në këtë drejtim, sepse marrëveshja e ekstradimit që i hapëm rrugë sot përfshin gjithë zinxhirin e bashkëpunimit në fushën penale, si hetimin paraprak edhe të dënuarit me vendim të formës së prerë. Nëse ka interes mund t’ua vë në interes në Ministrinë e Drejtësisë pasi ta rakordojmë me Prokurorinë e Përgjithshme.”- tha Manja.
Ogerta Manastirliu – Fonde në dispozicion për përmirësimin e shërbimeve lidhur me përballimin e COVID-it
Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, tha se janë marrë të gjitha masat për trajtimin shëndetësor, sidomos për të prekurit nga COVID, si dhe nënvizoi se më shumë se 150 punonjës shëndetësorë janë shtuar për të përballuar efektet e COVID-19.
“Ne kemi vendosur objektiv vaksinimin e të gjithë popullatës në marsin e ardhshëm. Dy vendime të tjera lidhen me përmirësimin e cilësisë së shërbimeve. Janë vendosur fondet e nevojshme për ato programe që duhen mbështetur, ku efekti direkt, apo indirekt nga COVID-19 të mbështeten financiarisht që qytetarëve të mos i mungojë trajtimi shëndetësor.
Jo vetëm do të garantohet furnizimi me barna, por edhe të rritet cilësia duke ofruar shërbime të reja, siç është dhe shtrirja e nevojave laboratorike. Sigurisht janë këto 2 vendime që janë bërë efektive. Dua të theksoj se më shumë se 150 punonjës shëndetësorë, janë shtuar dhe ky fond mbulon jo vetëm burimet njerëzore të shtuara për të përballuar efektet e COVID-19, por edhe synon që të mbulojë edhe vijimin e bonusit për mjekët dhe infermierët.”- tha ministrja Manastriliu.
Ministrja bëri me dije deri më tani më shumë se 900 mijë qytetarë kanë marrë dozën e parë të vaksinës, e përkthyer kjo në 44% të kategorisë që deri më tani i është lejuar vaksinimi.
Belinda Balluku – Miratimi i një sërë shpronësimesh
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, nga ana tjetër bëri me dije se gjatë mbledhjes së qeverisë, janë miratuar një sërë shpronësimesh për të vijuar punët infrastrukturore në disa qytete të Shqipërisë.
Ajo sqaroi se do të vijohet me punimet në unazën lindore të qytetit të Kavajës dhe unazën e Korçës, e po ashtu, është bërë shpronësimi i një zone, ku pritet të kalojë TAP.
“Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka depozituar disa projektvendime, sidomos shpronësime. Shpronësim për të vazhduar punimet në unazën lindore të qytetit të Kavajës. Gjithashtu kemi aprovuar sot, vazhdimin për shpronësimin e punimeve në unazën e Korçës, kjo rrugë krijohet jo vetëm për trafikun, por për t’u dhënë akses qytetarëve.
Dua të përmend këtu dhe vendimin që kemi marrë për shpronësimin e një zone që kaluar për TAP. Në të ardhmen ajo do të luajë një rol të rëndësishëm, sepse do të jetë TAP pjesë e projektit që kemi nisur. Ne kemi hedhur hapat për TEC-in e Vlorës. Ndërkohë, gjithashtu kemi bërë shpronësimin e një sheshi në fshatin e Bogës. Një nga fshatrat më piktoreske turistikë, e për shkak të gjitha reformave gjatë këtyre zonave. Gjithashtu, dua të ndalem në një tjetër shpronësim të miratuar sot, kjo në aksin Tiranë-Elbasan, kjo na çon afër një projekti që ka marrë një afat të gjatë për t’u realizuar.”– tha Balluku.
Evis Kushi – Nuk ka vendim definitiv për turnet
Në fund ministrja e Arsimit Evis Kushi, në daljen e saj para gazetarëve është përpjekur të qetësojë prindërit e shqetësuar për zhvillimin me turne të procesit mësimor dhe me orë të shkurtuara.
“Unë i mirëkuptoj të gjithë prindërit që janë të shqetësuar për cilësinë e arsimit, për kohëzgjatjen apo për turnet që jemi të detyruar t’i aplikojmë për shkak të udhëzuesit të MSH. Të gjithë e dimë që jemi ende në situatë pandemie.
Një nga rregullat që duhet të zbatojmë në shkollat tona është edhe distanca fizike, ndaj në ato shkolla ku numri i nxënësve është i lartë, jemi të detyruar të zbatojmë turnet. Dua t’i qetësoj prindërit duke iu thënë që ky nuk është vendim definitiv që do zbatohet për gjithë vitin, por është sipas situatës. kom i ekspertëve e vlerëson në një sistem javor, 2-javor dhe shumë shpejt do ketë një vendim tjetër, duke shpresuar që procesi i vaksinimit do na çojë drejt normalizimit.
Një pjesë e shkollave e zbatojnë. 87% e mësuesve sot janë të vaksinuar, 71% janë të vaksinuar me të dy dozat dhe pjesa tjetër pritet të marrin dozën e dytë.”- deklaroi ministrja Kushi.