Vendosni fjalën kyçe....

Ministria e Brendshme në Kosovë: Qytetarët që pajisen me targa të përkohshme, po kërcënohen


Ministria e Punëve të Brendshme në Kosovë thotë që qytetarët të cilët janë pajisur me targa të përkohshme, po kërcënohen.

Ky institucion ka reaguar lidhur me këtë përmes një njoftimi për mediet, ku shprehet se po punon për identifikimin e këtyre personave që po kryejnë kërcenimet.

 “Ministria e Punëve të Brendshme ka pranuar informacione se qytetarët të cilët janë pajisur me tabela të përkohshme janë duke u kërcënuar nga persona deri më tani të paidentifikuar.

Ministria e Punëve të Brendshme dënon ashpër këto kërcënime në drejtim të qytetarëve të cilët janë pajisur me tabela të përkohshme sipas Vendimit të MPB-së më datë 20 Shtator 2021. Forma të tilla të kërcënimeve ndikojnë drejtpërdrejtë në krijimin e një klime ku qytetarët ndihen të frikësuar të jetojnë dhe të veprojnë në vendin e tyre. Këto kërcënime janë të papranueshme dhe po pengojnë lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave.”- thuhet në komunikatë.

Në veri të Kosovës kanë raportuar se gjatë natës së mbrëmshme në të paktën një veturë me tabela të përkohshme të Kosovës, janë vendosur mbishkrime me përmbajtje kërcënuese.

Ministria e Punëve të Brendshme njofton të gjithë qytetarët se kërcënimi është vepër penale dhe këto forma dhe forma tjera të kërcënimeve do të hetohen nga Policia e Kosovës dhe do të merren masa sipas ligjit.

Përkundër kësaj, të gjithë qytetarët ftohen që “të pajisen me targa të përkohshme dhe të mos bien pre e këtyre linçimeve”.