Najla Bouden Romdhane është gruaja e parë në botën arabe që do të mbajë postin e kryeministres. Sikurse raporton “Al Jazeera”, presidenti i Tunizisë, Kais Saied, e ka emëruar zonjën Najla Bouden Romdhane, si kryeministren e parë grua të vendit.
Ky vendim vjen dy muaj pasi ai mori shumicën e pushtetit, në një veprim që armiqtë e tij e quajnë “grusht shteti”.
Zonja Romdhane është një inxhiniere pak e njohur universitare që ka punuar me Bankën Botërore dhe do ta marrë detyrën e re në një kohë krize kombëtare.
Saied e shkarkoi kryeministrin e mëparshëm, pezulloi Parlamentin dhe mori pushtetin e gjerë ekzekutiv në korrik, dhe ka qenë nën presion në rritje për të formuar një qeveri të re.
Ai e theksoi nominimin “historik” të një gruaje, duke e quajtur këtë “një nder për Tunizinë dhe një homazh për gratë tuniziane”.
Presidenti Saied tha se misioni kryesor i qeverisë së re do të ishte “t’i japë fund korrupsionit dhe kaosit të përhapur në shumë institucione shtetërore”.
Qeveria e re duhet t’u përgjigjet kërkesave dhe dinjitetit të tunizianëve në të gjitha fushat, përfshirë shëndetësinë, transportin dhe arsimin, shtoi ai.