Vendosni fjalën kyçe....

Të hysh në histori apo të rrish në shtëpi, Merkeli e zgjidhi dilemën me modesti


Nga Çapajev Gjokuatj

Angela Merkel është tashmë kancelare në ikje. Gruaja më e fuqishme e botës’, ‘Zhanë d’Arka moderne’, ‘liderja e Europës’, po mbyll një karrierë të gjatë dhe plot arritje.

Do dalë nga zyra dhe do hyjë në histori, shkruante një gazetar këto ditë. Dua të jem në shtëpi, të flas, të shkruaj të eci, thoshte vetë kancelarja në një intervistë.

Dilemën ‘të hysh në histori apo të rrish në shtëpi’ Merkel e zgjidh pa mëdyshje dhe me shumë modesti. Kjo më kujton politikanët tanë: s’ka forcë që i shkul nga kolltuku.

Jo vetëm kaq. Sa herë të shohim deputetët tanë që shkojnë në parlament veshur e ngjeshur, sikur të qe sfilatë mode e jo vend pune, bëjmë mirë të nëpërmendim kancelaren: pak si e ndrojtur, gjithnjë e qetë dhe thuajse kudo me të njëjtin model veshjeje.

S’thonë kot, sa më bosh të jetë kazani, aq më shumë zhurmë bën. Vetëm se vështirë t’i japësh dum: boshllëku është brenda politikanëve apo në kulturën tonë?

( Nga cikli ‘Selanik e tatëpjetë’ )