YouTube ka lajmëruar se do të bllokojë të gjithë përmbajtjet kundër vaksinave anti-Covid, duke shkuar përtej politikës vetëm për të ndaluar dizinformatat në lidhje me pandeminë.
Kompania po ndalon gjithashtu disa aktivistë të shquar kundër vaksinave, duke fshirë kanalet e tyre, njoftoi Washington Post këtë të mërkurë.
Shembuj të përmbajtjes që nuk do të lejohen më në YouTube përfshijnë gjithashtu pretendimet se vaksina e gripit shkakton infertilitet dhe se vaksina MMR, e cila mbron nga fruthi, shytat dhe rubeola, mund të shkaktojë autizëm.
Lëvizja vjen pasi YouTube dhe gjigantët e tjerë të teknologjisë si Facebook dhe Twitter janë kritikuar se nuk kanë bërë aq sa duhet për të ndaluar përhapjen e informacionit të rremë lidhur me pandeminë në faqet e tyre.
Por edhe pse YouTube tanimë ka vendosur të mbajë një qëndrim më të ashpër ndaj dezinformatave, po përballet me reagime të ashpra në të gjithë botën. Të martën, nga Youtube u fshinë kanalet në gjuhën gjermane të transmetuesit rus të lajmeve RT, me argumentin se kishin shkelur politikën e dezinformimit mbi COVID-19. Një vendim që është konsideruar i padrejtë nga ana e RT-së.
Rusia e quajti këtë veprim “agresion të pashembullt ndaj informacionit” dhe kërcënoi të bllokojë YouTube në territorin e saj.