Vendosni fjalën kyçe....

Zëdhënësi i BE: Mes Kosovës dhe Serbisë s’ka marrëveshje finale, negociatat vazhdojnë


Zëdhënësi kryesor për Punë të Jashtme i BE-së, Peter Stano, ka komentuar zhvillimet e fundit ën dialogun që po mbahet në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë.

Më herët u raportua nga zv.kryeministri, Besnik Bislimi se arritja e marrëveshjes është afër dhe se ka mbetur pezull vetëm marrëveshja për çështjen e targave të veturave KM

Por Stano thotë se bisedimet për zgjidhjen e ngërçit në veri të Kosovës janë duke vazhduar. Ato janë duke u ndërmjetësuar nga i dërguari Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Dialogu: Takimi i kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë i lehtësuar nga Miroslav Lajcak në Bruksel nuk ka përfunduar, negociatat vazhdojnë për të gjetur një zgjidhje për krizën aktuale në veri të Kosovës”, ka shkruar ai në Twitter.

Nga ana tjetër zv/kryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka treguar se me palën serbe janë dakorduar për një draft marrëveshje, megjithatë mbetet të shihet nëse do të ketë pajtim final edhe nga Serbia meqë Beogradi nuk ka pranuar një prej paragrafëve të draft marrëveshjes.

Bislimi ka treguar se pika e tretë në këtë draft marrëveshje është për heqjen e barrikadave. Ai ka thënë se nëse Serbia e nënshkruan përfundimisht marrëveshjen, atëherë KFOR-i të shtunën do të vendoset në dy pikat kufitare në Jarinje dhe Bërnjak, ndërkohë Policia e Kosovës pas disa orëve do të përcjellë çtensionimin e situatës me fillimin e largimit të barrikadave.

Ai ka treguar se të dy palët do të kenë tetë orë në dispozicion për t’u larguar nga aty.

“Pika e tretë ka të bëjë me heqjen e barrikadave. Sipas kësaj marrëveshje, nëse Serbia e nënshkruan finalisht, të shtunën KFOR-i do të vendos trupat në dy pikat kufitare në Jarinje dhe Bërnjak. Pastaj pas disa orëve, Policia e Kosovës do të përcjell shtensionimin e situatës me fillimin e largimit të barrikadave. Për këtë do të kenë tetë orë, të dy palët”, ka thënë Besnik Bislimi.