Deputeti socialist, Erion Braçe ka dalë kundër zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, për të mos gjobitur 4 kompanitë importuese të miellit.
Braçe e konsideron një vendim me zero profesionalizëm, ndërsa thotë se është skandaloze që favorizohen 4 ndërmarrje kundër popullit dhe interesit publik.
“Asgjë profesionale nuk ka në vendimin e tre komisionerëve dje, zero! Thjesht anëmbajtje e tyre ndaj katër ndërmarrjeve kundër popullit, interesit publik! Është skandaloze por fakt; Deri në 1990, çmimet në treg i caktonte qeveria dhe në favor të popullit-sipas saj, sot, tani, çmimet i caktojnë katër ndërmarrje dhe në favor të fitimit të tyre-fakt! Diferencë më të neveritshme dhe kundër shumicës nuk ka!”, shkruan Braçe.
Më tej në reagimin e tij, Braçe thotë se Autoriteti i Konkurrencës ka konstatuar se 4 ndërmarrjet nuk kanë zbatuar vendimin e marrë në korrik por kanë vijuar të vendosin çmimet në favor të tyre dhe në këtë rast gjoba ndaj tyre do të duhej të ishte automatike, 10% e xhiros vjetore.
Në një konferencë për mediat Zv.kryeministri Arben Ahmetaj tha më herët se beson te profesionalizmi i Autoritetit të Konkurrencës në lidhje me vendimin për të mos gjobitur 4 kompanitë importuese të miellit.
Ndërsa një javë më parë në një intervistë për News 24, pa dalë vendimi i Autoritetit të Konkurrencës mendonte se rritja e çmimit ishte e përballueshme për qytetarët (Lexo këtu).
Postimi i plotë:
Për bukën dhe për bukën e gojës! Dhe ata që thonë se rritja e çmimit është e përballueshme!
ligjërisht, teknikisht: komisioni i konkurrencës në korrik 2020, me votë unanime, ka konstatuar:
- Sjellje të bashkërenduar të katër ndërmarrjeve në importin e grurit, importin, prodhimin dhe tregetimin e miellit, duke bashkërenduar sjelljen dhe caktuar çmimet në këtë treg……. etj; ka vendosur katër detyrime për katër ndërmarrjet ku më i rëndësishmi është; te mos caktojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, çmimet në blerje apo në shitje, si dhe çdo lloj kufizimi tjetër! ka vendosur mbajtjen në monitorim për një vit te kater ndërmarrjeve, sjelljes së tyre në zbatim të detyrave të lëna.
Komisioni i konkurrencës me vendim, thotë qarte në pikën 6: Moszbatimi i detyrimeve të pikës 3 të vendimit (moscaktimi i çmimeve), ndëshkohet me penalitetet e përcaktuara në ligj! Pra, ka një vendim, është marrë në korrik 2020, i cili konstaton sjellje të koordinuar të katër ndërmarrjeve, le detyra, i monitoron ato dhe, parashikon ndëshkim nëse ndërmarrjet refuzojnë zbatimin! pikë! Edhe një herë; në korrik 2020, jo dje!
—Konkretisht, profesionalisht:
- komisioni i konkurrencës në një vit monitorim, ka administruar gjetje sipas të cilave: 80-90% të çmimeve të administruara nga faturat e katër ndërmarrjeve, kanë qene të njëjta, të caktuara në sjellje të koordinuar;
- rritje të çmimit të bukës në furrat e prodhimit të bukës si pasoje e rritjes së çmimit të miellit nga këta furnizues. Pra, vendimi i jo vetëm nuk është zbatuar por katër ndërmarrjet kanë vijuar të caktojnë çmimet në favor të tyre, në rritje e në dëm të popullit. Në këtë pikë; vendimi i korrik 2020 thotë “gjobë”; referuar ligjit 10% e xhiros vjetore! Pra, gjoba është automatike!