Vendosni fjalën kyçe....

Kosova e Serbia arrijnë marrëveshjen në Bruksel për targat


I dërguari i BE-së për dialogun mes Kosovës e Serbisë, Miroslav Lajçak, ka njoftuar arritjen e marrëveshjes mes Prishtinës e Beogradit për çështjen e targave mes palëve.

“Ne kemi arritur një marrëveshje. Pas dy ditëve negociatash intensive, është arritur marrëveshja për qetësimin e situatës. Dua të falënderoj Besnik Bislimin e Petar Petkoviçin për gatishmërinë për të negociuar dhe për t’u pajtuar për të mirën e njerëzve.” – ka shkruar Lajçak në Twitter.

Sipas marrëveshjes të arritur sot në Bruksel me ndërmjetësimin e BE-së, forcat e njësisë speciale të Policisë së Kosovës të vendosura në Jarinjë e Bërnjak, do të largohen njëkohësisht me bllokadat në rrugë më 2 tetor në orën 8 të mengjesit 8:00 dhe gjithë kjo tërheqje do të përfundojë maksimalisht deri në orën 16:00.

Më pas KFOR-i do të vendoset në Jarinjë e Bërnjak para se të nisë largimi i sinkronizuar dhe do të qëndrojë për dy javë për të mbajtur ambientin e sigurt dhe lëvizjen e lirë.

Në pikën 2 të marrëveshjes, nga 4 tetori, në orën 8 të mëngjesit hyn në fuqi regjimi i letrave ngjitëse me të cilat do të mbulohen elementet shtetërore në targat e veturave të Kosovës dhe Serbisë.