Vendosni fjalën kyçe....

Po shisnin 21 kilogramë kanabis për 39 mijë euro, kapen 4 persona në Durrës


Katër persona janë arrestuar në Durrës pasi akuzohen për kultivim e shitje kanabisi.

Siç bën me dije policia të arrestuarit janë Admir Dedja, 25 vjeç, Beart Ismailaj, 24 vjeç, Hismet Toro, 33 vjeç dhe Misim Koldashi, 55 vjeç.

Ata po provonin të shisnin rreth 21 kilogramë kanabis për një shumë prej rreth 39 mijë eurosh. Sasia e lartpërmendur e drogës është sekuestruar nga policia.

Njoftimi

“Në vijim të kontrolleve të ushtruara, goditet dhe një rast i kultivimit të bimëve narkotike cannabis sativa, në pronën e njërit prej shtetasve të arrestuar.

Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Forcat Operacionale në DVP Durrës, bazuar në informacione të mara në rrugë operative se disa shtetas ushtronin veprimtarinë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike, kanë mirorganizuar punën dhe kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar të koduar “Porositësit”, në kuadër të të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit:

Admir Dedja, 25 vjeç, Beart Ismailaj, 24 vjeç, Hismet Toro, 33 vjeç dhe Misim Koldashi, 55 vjeç (i shpallur në kërkim për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike), të gjithë banues në Durrës.

Arrestimi i këtyre shtetasve u bë pas vëzhgimit të pandërprerë dhe informacioneve të siguruara nga specialistët e Seksionit të Narkotikëve dhe agjentët e Forcave Operacionale. Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, po tentonin të shisnin, kundrejt shumës 38.800 euro, rreth 21 kg lëndë narkotike cannabis sativa, e cila u gjet në garazhin e banesës së shtetasit Misim Koldashi dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Gjithashtu, në vijim të kontrolleve, në pronën e shtetasit Misim Koldashi, shërbimet e Policisë kanë konstatuar të kultivuara disa bimë narkotike cannabis sativa.

Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, vijon puna për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.”