Vendosni fjalën kyçe....

Laburistët në Britani miratojnë mocionin që bën thirrje për sanksione kundër Izraelit për çështjen palestineze


Partia Laburiste e Britanisë miratoi një mocion që bën thirrje për sanksione kundër Izraelit për praktikimin e ‘aparteidit’ kundër palestinezëve.

I miratuar në konferencën vjetore të partisë që u zhvillua në Brighton, mocioni gjithashtu bën thirrje për ndërprerje të tregtisë së armëve me Izraelin në zonat ku shkelen të drejtat palestineze dhe të ndërpresin tregtinë me vendbanimet e paligjshme izraelite.

“Konferenca dënon Nakbën e vazhdueshme në Palestinë, dhunën e militarizuar të Izraelit që sulmon xhaminë Al Aksa, zhvendosjet e detyruara nga Shejh Xharrah dhe sulmin vdekjeprurës në Gaza.” – thuhet në mocion.

Më tej, mocioni bie dakord të mbështesë ‘masa efektive’, përfshirë sanksionet kundër veprimeve të qeverisë izraelite, të cilat janë të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar.

Lëvizja i bëri thirrje Laburistëve të ‘sigurojnë që Izraeli të ndalojë ndërtimin e vendbanimeve, të anulojë çdo aneksim, t’i japë fund pushtimit të Bregut Perëndimor, bllokadës së Gazës, të rrëzojë murin dhe të respektojë të drejtën e popullit palestinez, siç është ruajtur në ligjit ndërkombëtar, për t’u kthyer në shtëpitë e tyre’.