Vendosni fjalën kyçe....

Manastirliu prezanton Planin e Përgjigjes 2021-2023 kundër Covid-19: Prioriteti ynë vaksinimi i popullsisë


Ministrja e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, ka prezantuar sot “Planin e Përgjigjes 2021-2023” ndaj pandemisë dhe impaktit post Covid-19, të hartuar nga ekspertët e shëndetësisë.

Gjatë fjalës së saj, ministrja Manastirliu tha se ky plan është një dokument orientues, në funksion të përgjigjes ndaj Covid-19.

 “Ky është një plan përgjigje, është një dokument i cili orienton të gjitha veprimet tona, ndërhyrjet tona në sektor, në funksion të përgjigjes ndaj Covid-19 por edhe impaktit post-covid në sistemin shëndetësor. Është gjithmonë një dokument dinamik, një dokument fleksibël, pra që në kohë ai përshtatet me ndryshimet që mund të ketë, me evidencat e reja shkencore që mund të dalin, me situata që mund të krijohen, në bazë të skenarëve padyshim të vendosura në këtë plan, por edhe të çfarë eksperiencash ne mund të kemi në të ardhmen.”– tha Manastirliu.

Vaksinimi sipas ministres mbetet pika kryesore e këtij plani, duke theksuar se fokusi kryesor në muajt në vazhdim do të jetë pikërisht rritja e mbulesës vaksinale. Ndaj muaji Tetor do të jetë një muaj i hapur për vaksinimin.

 “Përpjekja mbetet tek rritja e mbulesës vaksinale, që padyshim është një detyrë e jona, e sistemit shëndetësor i cili është çdo ditë në këmbë në funksion të kësaj detyre. Qeveria shqiptare ka garantuar deri më tani dozat e nevojshme të vaksinës. Brenda pranverës së vitit të ardhshëm ne duhet që të mundësojmë vaksinimin e popullatës target, ashtu sikurse e kemi përcaktuar. Ndërkohë që tashmë e kemi marrë vendimin për të siguruar që edhe studentët të jenë të vaksinuar dhe të shkojnë në universitete të vaksinuar për të siguruar që shkollat tona të vazhdojnë procesin normal të mësimit në auditore, ndaj edhe muaji tetor do të jetë një muaj i hapur për vaksinimin.”- tha ministrja.

Objektivat e strategjisë së Planit të Përgjigjes 2021-2023 janë:
– Forcimi i survejancës epidemiologjike dhe masave të parandalimit dhe të kontrollit të infeksionit në komunitet.
– Menaxhimi i rasteve me SARS-CoV-2 në nivel spitalor dhe përballja me skenarët e rinj të mundshëm.
– Organizimi i kujdesit shëndetësor, forcimi i QKUM, infrastrukturës spitalore dhe burimeve njerëzore.