Vendosni fjalën kyçe....

Njësia Speciale fillon tërheqjen pas largimit të kamionit të fundit dhe tendave në kufi (FOTO)


Njësia Speciale e Policisë së Kosovës është larguar nga pjesa veriore e Kosovës pas 13 ditësh qëndrimi.

Siç shkruajnë mediet në Kosovë, tërheqja e policisë ka ndodhur pas largimit të barrikadave nga serbët lokalë, që e kishin bllokuar rrugën me kamionë e mjete tjera të rënda ditën kur policia ishte vendosur në dy pikat kufitare Jarinje e Bërnjak.

Kujtojmë se njësitë speciale ishin vendosur aty të hënën e 20 shtatorit, pas vendimit të qeverisë për reciprocitet me targat e automjeteve të Serbisë.

Por delegacionet e Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, kanë arritur të bien dakord më 30 shtator për çështjen e targave dhe zhbllokimin e veriut.

Kjo marrëveshje kërkon që Njësitet Speciale të tërhiqen pasi pjesëtarët e KFOR-it do të vendosen në dy pikat kufitare dhe hiqen barrikadat.

Pas kësaj, ka filluar edhe heqja e tendave të cilat janë ngritur tash e 12 ditë në Jarinje, raporton Gazeta Express.

Policia e Kosovës nuk ka pranuar që të tërhiqet pa u larguar dhe kamioni i fundit me mbishkrimin për Asociacionin, i cili është larguar vetëm pak minuta më parë.