Vendosni fjalën kyçe....

Plas debati mes Spahos dhe Salianjit: Mitralozi i Partisë, mos shaj në telefon se që nga “Babalja” regjistrohen bisedat


Një debat në distancë ka nisur mes dy demokratëve, Ervin Salianji dhe Edmond Spaho.

Dy deputetët e PD-së në të njëjtin qark, Korçë, janë vënë përballë njëri-tjetrit për shkak të konfliktit mes dy figurave kryesore brenda partisë, kryetarit Lulzim Basha dhe ish-liderit Sali Berisha.

Fillimisht ishte deputeti Ervin Salianji i cili ironizonte në mënyrë indirekte Edmond Spahon, duke i bërë thirrje të mos luajë më me emocionet dhe ndjeshmërie e demokratëve, duke i përmendur dhe “ofiqet dhe përfitimet” që ka marrë nga Partia Demokratike.

“Dy fjalë për kundërshtarët e 25 prillit që sot i shoh të valëvisin flamurin e PD! Mos luani me emocionet dhe ndjeshmëritë e demokratëve! Ofiqet dhe përfitimet që keni marrë nga kjo parti askush nuk po i kujton, por frymën e përçarjes me pretekstin e rikthimit edhe një herë me të njëjtat turpe që mbani mbi shpinë, nuk kanë për ta lejuar! Askush! Demokratët të parët!”– shkruan Salianji, ndërsa publikon edhe deklaratën e tij me video në një intervistë televizive.

Pas këtij postimi në rrjetet sociale të Salianjit, ka reaguar sot Edmond Spaho i cili e quan Salianjin “mitralozin e partisë”.

Ai kujton se vetëm disa ditë para mbledhjes së fundit të Këshillit Kombëtar, kryetari Basha e ka thirrur në zyrë dhe i ka ofruar dy pozicione në Kuvend dhe Parti, por që ai i ka refuzuar të dyja. Ai ka edhe një këshillë të fundit për Salianjin, dukë i kujtuar “Babalen”.

REAGIMI I SPAHOS

Replikë e detyruar me Mitrolozin e Partisë.

Në Kohën e monizmit në vitet 60-70, në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve ishte një kapterr gjoja shkrimtar, të cilin Partia e ndërsente sa herë deshte ti hante kokën ndonjërit. Kaq e madhe ishte paturpësia, egërsia dhe zelli i tij, sa që edhe Kadarenë mund ta nxirrte mediokër dhe antiparti.

Këtë tipin Lazgush Poradeci e quante Mitrolozi i Partisë. Një mitroloz të tillë kemi edhe ne në PD.

Dje publikova një status ku ngre shqetësimin tim për gjëndjen katastrofike në të cilën ndodhet PD. U shpreha që PD është bunkerizuar dhe për këtë pranova edhe përgjegjësitë e mia si një nga drejtuesit e saj këto 8 vite, megjithëse nuk kam pasur hapësirë për të ndryshuar gjë.

PD ka nevojë të ndryshojë rrënjësisht në se dëshiron të fitojë zgjedhjet. Detyrimin për ndryshim dhe fitore e kemi në rradhë të parë për njerëzit në bazë të cilët janë pa punë dhe bukë.

Mendimet e mia nuk ua imponoj askujt, kushdo që i lexon të gjykojë sipas bindjeve të tij. Kjo vlen edhe për kolegët e Grupit Parlamentar. Çdonjëri prej tyre të më kritikojë me argumenta, madje ashpër, por pa fyerje dhe denigrime. Fjalën e lirë dhe norma të tjera demokratike po kërkojmë të vendosim në PD.

Çuditërisht, dje në mbrëmje në një stacion televiziv, Mitrolozi i Partisë filloi të mitralojë duke u përpjekur të më ofendojë dhe ulur në sytë e opinionit publik.

“Cfarë do tjetër Mondi, pyeti Mitrolozi i Partisë, në 25 vite ka qënë Ministër, Kryetar i FSHF, Nënkryetar i Kuvëndit, Kryetar i Grupit Parlamentar?”

Hajde e mos e quaj këtë bunkerizim!!! Sipas Mitrolozit, ne nuk duhet të flasim sepse kemi marrë karrige dhe duhet respektuar kodi i karrikekracisë!!!

Mitroloz, për të gjitha arritjet kam investuar energji, profesionalizëm, kohë dhe emocione dhe i kam arritur me konkurim dhe votë. Ne vitin 1997, pasi lashë ministërllëkun, rifillova në PD si sekretar seksioni në lagjen time. Unë vetëm të ndenjurat kam të miat, karriget janë të institucioneve.

Ty ta kuptoj hallin që ke dhe pse mitralon. Kushedi të ndihmon krahu tjetër dhe të zgjidhet halli.

Për dijeni te opinionit dhe kolegëve të mi në Grupin Parlamentar, disa ditë para mbledhjes së fundit të Këshillit Kombëtar, Z. Basha më ka thirrur në zyrë dhe më ka ofruar dy pozicione në Kuvënd dhe Parti. Nëpërmjet tyre do të isha edhe anëtar i Kryesisë së Grupit Parlamentar edhe anëtar i Kryesisë së PDSH.

I refuzova të dyja duke i thënë që do të qëndroj vetëm Deputet. Kërkesës së tij për të konkuruar për anëtar të Kryesisë të PDSH i jam përgjigjur që nuk e kam qëllim në vetvete dhe nuk do konkurroj. Këtë e bëra edhe për të marrë pak përgjegjësi mbi vehte për ku kemi mbërritur në PD.

Edhe një këshillë të fundit për Mitrolozin. Mund ti vlejë edhe mitralierëve. Kujdes me fjalët sepse nuk janë si qentë që ju fërshëllen dhe i kthen prapa. Mos shaj në telefon, sepse që kur ndodhi ajo historia me Babalen të gjithë kanë filluar ti rregjistrojnë bisedat. Besoj më kupton ku e kam fjalën.

Të fala!