Shkrimtari Visar Zhiti në një intervistë për emisionin “Kjo Javë” të gazetares Nisida Tufa, në Neës24 komentoi përplasjen me ish-Presidentin Bujar Nishani që ndodhi pak kohë më parë.
Zhiti tha se u sulmua në mënyrë të padrejtë, nga njerëz të padrejtë, në poste të padrejta. Sipas tij, vetë Nishani e dinte që Zhiti nuk ishte ajo që thoshte ai, pasi kishte parë dosjen e tij, por që i duhej të sulmonte për interesa oligarkike të tijat.
Teksa e cilësoi Nishanin si një President të papërgjegjshëm, Zhiti u shpreh se ai solli edhe katastrofa të tjera, që nuk lidheshin me të, por që vazhdojnë ende.
“Ish-Presidenti e dinte shumë mirë që unë nuk isha ajo që po thoshte ai, e dinte shumë mirë, sepse kërkoi dosjen time dhe mua ma dhanë informacionin, dhe atij ju tha se ky njeri nuk ka asgjë të errët në dosjen e tij. Ai e dinte dhe i duhej të më sulmonte për interesa oligarkike të tijat, që ja mundësonte posti. Shpërdorimi i postit, i fjalës, i tjetrit, ishte diçka që aq sa më vrau mua, vrau qytetarinë, vrau një të vërtetë. Si ka mundësi që një njeri që duhet të jetë në një detyrë aq të lartë, gjithëpërfshirëse e përbashkuese, shkon dhe sulmon në mënyrë të padrejtë një njeri që vjen nga burgjet, që në fund të fundit ai ishte President i atij sistemi që u ëndërrua nga burgjet, që u projektua si psherëtimë apo klithmë në ato burgje. Ky njeri, që ishte oficer i diktaturës së atij burgu, që fati e sjell padrejtësisht të bëhet President, në vend që të jetë mirënjohës kohës dhe atyre të burgosurve, që ulëritën për këtë sistemi, ngrihet kundër njërit prej tyre”-deklaroi Zhiti.
Gazetarja e pyeti se sot Nishani është kontestuesi numër një i z. Basha dhe mbështetësi numër një i z. Berisha, ndërsa Zhiti u përgjigj se “kjo dëmton. Në lëvizjet ku mund të jetë ai, jam i mendimit se ato janë të dëmtuara. Së pari, dëmton demokracinë e Shqipërisë. Demokracia e bërë me armiqtë e demokracisë, është e pabesueshme dhe e dështuar”.