Vendosni fjalën kyçe....

Avioni me 8 persona në bord rrëzohet mbi një ndërtesë në Milano, asnjë i mbijetuar (FOTOT)


Një avion me tetë persona është rrëzuar sot në Itali, ku kanë humbur jetën të gjithë personat që ndodheshin në bord.

Sikurse raporton “Corriere Della Sera”, avioni është rrëzuar mbi një godinë dhe më pas ka marr flakë në zonën e Via Marignano, pranë terminalit San Donato në Milano.

Avioni ishte nisur nga aeroporti privat Linate dhe ishte nisur për në Sardenjë. Incidenti ka ndodhur rreth orës 13:00.

Fatkeqësisht nuk ka të mbijetuar, sipas gazetës italiane humbën jetën të 7 pasagjerët (përfshirë një fëmijë) dhe piloti, me kombësi rumune. Sipas informacioneve paraprake, pasagjerët mund të jenë francezë.

Ndërtesa e goditur, e cila gjithashtu mori flakë si pasojë e incidentit, ishte e zbrazët pasi ishte në proces rikonstruksioni. Ajo përdorej për zyra dhe parking për autobusët, pranë stacionit të metrosë San Donato.

Disa dëshmitarë, që banonin në një ndërtesë rreth 200 metra nga vendi i tragjedisë, thanë se dëgjuan një zhurmë të çuditshme dhe më pas kur panë nga dritarja zjarri kishte mbuluar gjithçka.

“Avioni kishte një motor në flakë dhe u rrëzua, nuk u panë manovra, ai thjesht u rrëzua.”– kështu janë shprehur dëshmitarët. Mbetjet e avionit janë të shpërndara në një zonë të madhe rreth pikës së goditjes.