Vendosni fjalën kyçe....

Kriza energjitike/ Rama: Detyra numër një e qeverisë, të mbrojmë shtresat në nevojë


Ndërsa shpalli krizën energjetike në vendin tonë, që ka nisur t’i shfaqë efektet e saj në të gjithë botën, kryeministri Edi Rama tha se do të bëhen të gjitha përpjekjet për të mbrojtur shtresat në nevojë. Ai tha se kjo do të jetë detyra numër një e qeverisë.

Ai u mundua t’i qetësojë qytetarët, duke u kërkuar të kenë besim se do ia dalim edhe kësaj krize.

“Dhe përgjegjësia e detyra numër një e qeverisë shqiptare, është të mbrojë medoemos dhe sido e sado që të jetë e mundur, nga goditja e kësaj fatkeqësie të re, shtresat më në nevojë, konsumatorët familjarë, si edhe biznesin e vogël; fiks në këtë rend prioritetesh.

Tanimë besoj se të gjithë ju, të dashur bashkëqytetarë e bashkëqytetare, i keni provat, se ne as nuk rrëzohemi as nuk dorëzohemi përballë sfidave të rënda të kësaj natyre.

Kini besim të plotë, siç kam edhe unë besim të palëkundur, se siç ia dolëm me tërmetin e me pandeminë, do t’ia dalim edhe kësaj sfide të madhe me energjinë dhe jini të sigurtë, se siç nuk na vunë përfund rrënojat e pafundme të tërmetit, e siç nuk na gjeti të papërgatitur sulmi i Armikut të Padukshëm, ashtu nuk na gjen të papërgatitur, e as as nuk na ve dot përfund as kjo krizë e jashtëzakonshme.”- deklaroi Rama.

Kryeministri shpalli mesditën e sotme Krizën Energjetike, duke thënë se në të gjithë botën po ndihen tashmë efektet e rritjes së çmimit të gazit dhe karburantit.

Ai shpjegoi se çmimi mesatar vjetor i blerjes së energjisë nga importi, është thuajse trefishuar në krahasimin me vitin e kaluar ndërsa paralajmëroi për një rritje marramendëse të çmimeve.