Pas Kryeministrisë, edhe Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme i ka hedhur poshtë lajmet për krijimin e një qendre strehimi azilantësh në Shqipëri.
Ministrja Olta Xhaçka e ka quajtur lajmin e publikuar nga tabloidi britanik “The Sun” një sajesë të turpshme.
Ajo tha se bisedime të tilla nuk janë bërë dhe as nuk do të bëhen.
“Absolutisht i gënjeshtër lajmi, se në Shqipëri mund të ngrihet një qendër për strehimin e azilantëve nga vende të treta.
As ka e as ka patur ndonjëherë bisedime për një ide të tillë. E turpshme sajesa e një lajmi të rremë si ky nga mediat angleze.
Ne jemi krenarë për strehimin e 4000 refugjatëve afganë, çka e kemi bërë në sy të gjithë botës, por nuk do të kthehemi kurrë në një qendër, ku vende, ku e ku më të mëdha e më të pasura se ne të deportojnë azilantët e tyre.
Kam instruktuar përfaqësinë tonë diplomatike në Angli të kërkojë përgënjeshtrimin e menjëhershëm të këtij lajmi të rremë.”- shkruan ministrja Xhaçka.
Këto lajme më herët u hodhën poshtë edhe nga Drejtori i Komunikimit në Kryeministri, Endri Fuga.
Këto reagime erdhën pas një lajmi të publikuar nga tabloidi britanik “The Sun”, ku thuhej se në Shqipëri do të krijohej një qendër strehimi për emigrantët që kërkonin azil në Britani.
“Emigrantët e paligjshëm do të fluturojnë 1.500 kilometra në një qendër në det të hapur në Ballkan, ndërsa kërkesat e tyre janë duke u përpunuar. Kërkesat e azilit në Mbretërinë e Bashkuar do të trajtohen sipas këtij plani, ndërsa emigrantët të qëndrojnë në Shqipëri.”- thuhet në artikull.
Gazeta theksonte se zyrtarët në Londër dhe në Tiranë ishin afër arritjes së një marrëveshjeje për këtë.