Vendosni fjalën kyçe....

Po hynin në Shqipëri me dokumente false, policia kthen pas në Rinas 35 shtetas nga Bangladeshi e Turqia


Policia ka shtuar kontrollet në Rinas, për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë në fushën e falsifikimit të dokumenteve dhe atë të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit.

Mësohet se gjatë këtyre kontrolleve, janë kthyer mbrapsht 35 shtetas nga Bangladeshi dhe nga Turqia, të cilët kanë tentuar të hyjnë në Shqipëri me dokumente të falsifikuara.

Njoftimi i policisë:

Gjatë muajit Shtator janë prapësuar 35 shtetas kryesisht nga Bangladeshi dhe nga Turqia me viza të falsifikuara.

Po përgjatë muajit Shtator 2021, si rezultat i masave të shtuara në kufi për kontrollin e kufirit dhe goditjen e paligjshmërisë janë evidentuar 15 raste të falsifikimit të letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave dhe “Falsifikim i dokumentave”, 5 prej tyre për falsifikim të tamponëve të Covidit.

Gjithashtu është evidentuar dhe 1 rast për “Falsifikim i dokumentave shendetsore” dhe 4 raste për veprën penale “Falsifikim i vulave, i stampave ose i formularëve”.

Në këto vepra janë implikuar 21 autorë, nga të cilët:
8 autorë janë arrestuar në flagrancë, 13 autorë janë proceduar në gjendje të lirë.

Gjithashtu janë sekuestruar në cilesinë e provës materiale: dokumentat, 15 pasaporta, 18 karta identiteti,13 leje qendrimi,8 patenta,6 karta shendeti, 6 viza elektronike.

Gjithashtu nga kontrolli i ushtruar në hyrje të RSH për muajin Shtator 2021, janë kapur në hyrje:

Një shtetas me pasaportë të falsifikuar dhe 2 shtetas me karta identiteti të falsifikuara.

Personat që i posedonin këto dokumente nuk janë lejuar të futen në Shqiperi janë prapësuar Inad në vendin e origjinës.