Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Mal të Zi, ku një vajzë 19-vjeçare është vrarë ndërsa babai i saj ka mbetur i plagosur.
Ngjarja ka ndodhur 3 ditë më parë në Tuz, ku besohet se ka qenë partneri i të resë, Ilir Gjokaj, ai që ka qëlluar ndaj gruas dhe vjehrrit të tij. Ai është larguar menjëherë nga vendi i krimit me një makinë “Audi” dhe ndodhet ende në kërkim nga policia.
Sipas gazetës Vijesti, babai i të resë u operua në Qendrën Klinike.
Mësohet se 19-vjeçarja Sheila Bakija e kishte denoncuar në muajin gusht partnerin e saj për dhunë, por ai nuk u dënua.
Mediet lokale raportojnë se dyshja kishin qenë në një lidhje dhe bashkëjetonin, por më pas Sheila Bakija vendosi të largohej nga Gjokaj dhe të kthehej në shtëpinë e saj për shkak të dhunës së vazhdueshme.
I pakënaqur me vendimin e saj, Ilir Gjokaj erdhi në derën e saj për të folur por nisën të debatonin dhe një grua e moshuar iu afrua në përpjekje që t’i qetësonte ata. Ajo ishte gjyshja e Sheilës.
Kur dëgjoi britmat, babai i të resë Shaban Bakija (42-vjeç) doli nga shtëpia dhe në atë moment Gjokaj e qëlloi Sheilën në kokë dhe gjoks, ai qëlloi dhe disa herë në drejtim të babait të saj.
Gruaja e moshuar që ishte e pranishme pësoi një infarkt nga tronditja që përjetoi.