Vendosni fjalën kyçe....

Skandali në Kishën Katolike në Francë, mbi 3 mijë priftërinj të akuzuar për abuzime seksuale


Deri në 3 mijë e 200 priftërinj katolikë kanë abuzuar seksualisht me fëmijët në Francë. Lajmi u zbulua pak ditë para publikimit të një raporti mbi krimet kundër të miturve brenda kishës.

Komisioni i pavarur i udhëhequr nga ish-nënkryetari i Këshillit të Shtetit Jean-Marc Sauve u krijua nga Kisha Katolike Franceze në vitin 2018 për të studiuar krimet seksuale kundër të miturve brenda radhëve të saj.

Pas kalimit nëpër arkivat e kishave në të gjithë vendin dhe kryerjes së intervistave, komisioni do të nxjerrë të martën një raport prej 2.500 faqesh.

Sauve i tha agjencisë së lajmeve AFP se ekipi i tij kishte zbuluar rreth 3,200 priftërinj pedofilë dhe anëtarë të tjerë të kishës që vepronin që nga viti 1950. Ai shtoi se ky ishte “një vlerësim minimal”.

Gjëja më e tmerrshme për mua ishte të shihja të këqijat më absolute – një sulm ndaj integritetit fizik dhe mendor të fëmijëve.

“Midis viteve 1950 dhe 1970, kisha ishte plotësisht indiferente ndaj viktimave. Ato nuk ekzistonin, vuajtjet e fëmijëve u injoruan.”- tha Sauve për Le Journal du Dimanche të shtunën, duke shtuar se klerikët ishin shumë të interesuar në mbrojtjen e kishës, duke i mbajtur pedofilët në priftëri.

“Radio Europe 1” thotë se numri i vlerësuar i viktimave të mundshme të përmendura në raport do të jetë mbi 100 mijë. Kjo shifër është 10 herë më e lartë se vlerësimi i mëparshëm i paraqitur nga komisioni në mars.

Kisha Katolike në të gjithë botën është tronditur nga raste të shumta të abuzimit seksual të të miturve nga priftërinjtë në dekadat e fundit.

Vatikani i ashpërsoi ligjet e tij këtë vit në përgjigje të një raporti të pavarur të vitit 2020 që zbuloi se zyrtarët e lartë të kishës nuk kishin vepruar në raportimet e krimeve kundër fëmijëve në të kaluarën.