Tetë persona kanë humbur jetën në një aksident ajror në Itali. Një aeroplan i lehtë pasagjerësh u përplas me një ndërtesë të zbrazët në periferi të qytetit italian Milano. Të gjithë personat në bord u vranë nga përplasja, ndërsa ndërtesa, e cila po i nënshtrohej riparimeve, mori flakë.
Aksidenti ndodhi në periferinë e Milanos të dielën. Avioni i lehtë, që besohet të jetë një turboprop Pilatus PC-12 i prodhuar në Zvicër, u rrëzua në një ndërtesë të zbrazët pranë stacionit të metrosë San Donato.
Pamjet nga vendi i ngjarjes të kapura menjëherë pas rrëzimit tregojnë se si avioni u përfshi nga flakët.
Të gjithë në bord – gjashtë pasagjerë dhe dy anëtarë të ekuipazhit – u vranë në aksident, thanë autoritetet italiane. Ndërtesa në të cilën u përplas aeroplani u dëmtua rëndë nga zjarri që pasoi, ndërsa makina të shumta të parkuara në afërsi u dogjën gjithashtu.
Sipas njoftimeve të mediave lokale, avioni u rrëzua menjëherë pas ngritjes.
“Avioni kishte një motor në flakë dhe u rrëzua, nuk u panë manovra, por ai thjesht u rrëzua.” – tha një dëshmitar okular për gazetën ‘La Repubblica’.
Të gjithë pasagjerët e aeroplanit besohet se kanë qenë shtetas francezë ndërsa ekziston frika se mes viktimave është edhe një fëmijë.