Vendosni fjalën kyçe....

Algjeria përplaset me Francën pas komenteve të Macron, tërheq ambasadorin


Algjeria tërhoqi ambasadorin e saj në Francë dhe akuzoi ish-kolonizatorin e saj për ‘ndërhyrje’, pasi Presidenti francez Emmanuel Macron kritikoi qeverinë e vendit. Ndërkohë, një grindje për vizat ka shpërthyer mes dy kombeve.

Ambasadori u thirr të shtunën pasi Presidenti Francez Emmanuel Macron këtë javë kritikoi ‘sistemin politiko-ushtarak’ që u shfaq në Algjeri pasi ish-kolonia fitoi pavarësinë në 1962, dhe supozohet se krijoi një ‘urrejtje ndaj Francës’ në shoqërinë algjeriane.

“A kishte një komb algjerian para kolonizimit francez?” – thuhet se pyeti Macron gjatë një takimi të enjten me pasardhësit e veteranëve të luftës algjeriane, sipas Le Monde.

Komentet e Macron zemëruan zyrtarët algjerianë dhe një deklaratë nga zyra e Presidentit Abdelmadjid Tebboune e lexuar në televizionin publik algjerian shprehu ‘kundërshtim kategorik të ndërhyrjes së papranueshme në punët e saj të brendshme që përbëjnë këto komente’.

Ndërsa Tebboune dhe Macron grinden mbi historinë, të dy vendet janë përfshirë në një mosmarrëveshje më urgjente për vizat. Qeveria franceze njoftoi të martën se do të zvogëlojë numrin e vizave në dispozicion të njerëzve nga Algjeria, Maroku dhe Tunizia, duke u ankuar se ato vende nuk po marrin mjaftueshëm emigrantët e tyre ilegalë të kthyer nga autoritetet franceze.

Ministri i Brendshëm Gerald Darmanin tha se numri i vizave të lëshuara për Algjerinë dhe Marokun do të ulet me 50%, ndërsa vizat e dhëna për shtetasit tunizianë do të reduktohen me dy të tretat.