Vendosni fjalën kyçe....

Ambasada Gjermane bën njoftimin e rëndësishëm për të gjithë të interesuar për vizat


Ambasada gjermane ka publikuar një informacion të rëndësishëm për të gjithë të interesuarit për aplikimet për Viza.

Në një postim në llogarinë zyrtare në Facebook, Ambasada ka bërë me dije se prej datës 01.11.2021 do të pranohen vetëm dosje të plota aplikimi me të gjitha dokumentet e nevojshme.

Në njoftim theksohet se aplikimet e paplota do të refuzohen të gjitha pasi të jenë mbajtur tarifat përkatëse. Për këtë arsye, lajmëron aplikantët që nëse janë në dijeni që nuk janë të pajisur me të gjithë dokumentacionin e nevojshëm, ta bllokojnë atë në kohë.

“Një informacion i rëndësishëm nga sektori i vizave.

Sektori i Vizave bën me dije si vijon: që prej datës 01.11.2021 do të pranohen vetëm dosje të plota aplikimi me të gjitha dokumentat e nevojshme (shih fletën përkatëse të informacionit në faqen tonë të internetit).

Aplikimet e paplota do të refuzohen pasi të jenë mbajtur tarifat përkatëse. Bllokojeni në kohë takimin tuaj, nëse e dini që në momentin e paraqitjes nuk i keni të gjithë dokumentat.

Ky ndryshim është i nevojshëm pasi aktualisht rreth 80% e aplikimeve janë të paplota, pra dosjet dorëzohen ndërkohë që u mungojnë dokumenta, e kjo do të thotë për të gjithë aplikuesit kohë më të gjata pritjeje për një takim dhe afate më të gjata përpunimi.

Përmes procedurës së re ne mund ta përpunojmë më shpejt aplikimin tuaj, për t’ua përcjellë më pas atë autoriteteve kompetente në Gjermani.”- thuhet në njoftimin e Ambasadës Gjermane.