Vendosni fjalën kyçe....

Pandemia rriti ndjeshëm shpenzimet për shëndetin me 28%; Më shumë dhe për ushqime, ulet argëtimi


Situata e shkaktuar nga pandemia në vitin 2020 ka sjellë ndryshime në strukturën e shpenzimeve për familjen.

Rritjen më të ndjeshme e kanë shënuar shpenzimet për shëndetin, duke reflektuar faktin që shumë njerëz u detyruan që ta përballonin virusin me fondet e veta. Sipas INSTAT, pesha e shpenzimeve për shëndetin u rrit në 5.4% në vitin 2020, nga 4.3% vitin e mëparshëm. Në vlerë, shpenzimet për shëndetin u rritën me 28%, duke arritur në rreth 4,500 lekë në muaj.  Sipas shpejgimit të INSTAT, Shpenzimet e bëra në grupin “Shëndet” në vitin 2020 kanë pësuar rritjen më të lartë prej 28,0 %,  krahasuar me vitin e kaluar, si rezultat i rritjes më të madhe të shpenzimeve për nëngrupin “vitamina”.

Edhe për ushqime ka një rritje të lehtë, me totalin e shpenzimeve që ka arritur në 41.6% nga 41.3% që ishte vitin e mëparshëm. Shqiptarët janë popullsi që shpenzojnë më shumë për ushqime, ndërsa në vendet e Bashkimit Europian, kjo peshë është 13% dhe në rajon më e ulët se 40%.

Karantina ka ulur ndërkohë shpenzimet për kulturë dhe argëtim, pesha e të cilave ka zbritur në 2.8%, nga 3.8% një vit më parë.

Ndonëse baret e restorantet ishin të mbylluara për disa muaj, INSTAT raporton një rritje te peshës së shpenzimeve për to, në 5.6%, nga 4.8% vitin e mëparshëm. Sipas INSTT, Shpenzimet e bëra në grupin “Restorante dhe hotele” kanë shënuar rritje prej 17,1 %, krahasuar  me vitin 2019, rritje e cila ka ardhur si rezultat i rritjes së shpenzimeve për nëngrupet: “qëndrime  dhe  shërbime për një natë në hotele, komplekse hotelesh, fshatra turistike, kampingje brenda vendit” si  dhe  shpenzime për “ushqim të shpejtë përfshirë edhe shërbimet taxi të ofruesve të ushqimit”.

Sipas Anketës së Buxhetit të Familjeve të INSTAT, Në  vitin  2020,  shpenzimet  mesatare  mujore  për  konsum  për  një  NjEF,  të përbërë mesatarisht nga 3,6 persona, janë 83.475 lekë. Totali i shpenzimeve për konsum është 64,2 miliardë  lekë në muaj për 768.963 familje. 

Vlerësimi i shpenzimeve mesatare mujore për konsum të NjEF-ve në vitin 2020, është 1,5 % më i lartë se në  vitin 2019. Rritja e çmimeve të konsumit, në vitin 2020, krahasuar me vitin 2019, është 1,6 %.  Uljen më të madhe të shpenzimeve mesatare për konsum mujor, në vitin 2020, e ka shënuar grupi “Argëtim  dhe  kulturë” me  26,4  %,  krahasuar  me  vitin  2019,  ndërsa  rritja  më  e  madhe  është  shënuar  në  grupin  “Shëndet” me 28,0 %.

Shpenzimet e bëra në grupin “Transport” kanë shënuar një rritje prej 5,7 %, krahasuar me vitin e  kaluar, rritje e cila ka ardhur kryesisht si rezultat i rritjes së shpenzimeve të nëngrupeve: “shpenzime për  qira të garazheve/hapësirave të parkimit si dhe “shërbimet taxi”. Sa  i  përket  strukturës  së  shpenzimeve  mesatare  mujore  për  konsum  të  NjEF-ve,  sipas  12  grupeve  kryesore të konsumit, peshën më të madhe e zënë grupet:

Grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike”, me një vlerë mesatare mujore të shpenzimeve prej 34.713  lekë, i cili zë një peshë prej 41,6 % në buxhetin familjar. Nëngrupet që zënë peshën më të madhe në  shpenzimet për ushqim janë “mish dhe nënprodukte” me 23,7 %, “perimet” me 16,8 %, “qumësht me  nënproduktet e tij dhe vezë” me 13,8 %, ndjekur nga “frutat” me 9,6 %.

Grupi i shpenzimeve për banesën, me shpenzimet për energji elektrike, ujë, lëndë djegëse, qira të  paguar dhe riparime të vogla, me një vlerë mesatare mujore të shpenzimeve prej 8.357 lekë, përbën 10,0 % të totalit të buxhetit familjar.

Grupi  “Mobilim,  pajisje  shtëpiake  dhe  mirëmbajtje  e  zakonshme  e  banesës”,  me  një  vlerë  mesatare mujore të shpenzimeve prej 5.794 lekë, zë 6,9 % të buxhetit gjithsej, rritja më e lartë është  shënuar në shpenzimet për nëngrupet “produkte për pastrim dhe mirëmbajtje shtëpiake”.

Vetëm Tirana ka konsum mbi mesataren

Në  vitin  2020,  qarku  i  Tiranës  paraqet  shpenzimet mesatare  më  të  larta  mujore  për  konsum.  Një  NjEF  në  qarkun e Tiranës shpenzon për konsum mesatarisht 98.737 lekë në muaj. Qarqet që paraqesin shpenzimet  mesatare më të larta për konsum, pas qarkut të Tiranës, janë Korça me 83.160 lekë dhe Fieri me 79.839 lekë  në  muaj  për  NjEF.  Qarqet  me  nivel  më  të  ulët  të  shpenzimeve  mesatare  mujore  për  konsum  janë  qarku  i  Kukësit me 70.252 dhe i Dibrës me 71.135 lekë në muaj për NjEF. Rritjen më të madhe të shpenzimeve e  paraqet qarku i Elbasanit me 7,0 %, ndjekur nga qarku i Dibrës me 4,9 %.

Në vitin 2020, numri mesatar i anëtarëve të NjEF është 3,6.  Qarku me numrin më të madh të anëtarëve të  NjEF është Kukësi me 4,2 anëtarë, ndërsa Gjirokastra është qarku me numrin më të vogël të anëtarëve në  përbërjen e NjEF, me 2,9 anëtarë.

Shpenzimet sipas llojit të familjes

Në 2020, në NjEF-të e përbëra nga një person i vetëm me fëmijë në varësi, grupi ushqim zë peshën më të  madhe  prej  46,4  %,  krahasuar  me  tipet  e  tjera.  Pesha  më  e  lartë  për  shpenzimet  për  transport  është  regjistruar në strukturën e buxhetit të NjEF- ve të përbëra nga tri ose më shumë të rritur me fëmijë, 7,3 %. Në  NjEF-të e përbëra nga tri ose më shumë të rritur pa fëmijë në varësi pesha që zënë shpenzimet për arsim  është më e lartë krahasuar me tipet e tjera.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor

ut