Vendosni fjalën kyçe....

Reja për sfidat ndaj Hungarisë e Polonisë: Na duhen patjetër katër pikë, Xhaka e refuzoi ftesën


Trajneri italian i kombëtares së Shqipërisë, Reja, ka thënë në konferencën për shtyp në prag të dy ndeshjeve të rëndësishme kualifikuese për botërorin e Katarit, ndaj Hungarisë e Polonisë.

Tekniku foli për mungesat në dy sfidat, ato të Abrashit e Laçit duke theksuar se pavarësisht kësaj ekipi ka mjaftueshëm lojtarë për të plotësuar mungesat.

Reja theksoi se do ishte i kënaqur nëse ekipi do merrte katër pikë në dy takimet e radhës.

“Me Poloninë me doemos duhet të fitojmë sepse është rivali ynë në grup, nuk kemi asnjë alternativë tjetër. Dua t’i marrim ndeshjet një pas një. Tani kemi Hungarinë një sfidë deçizive dhe më pas me Poloninë. Në rastin më të keq dua që të marrim me çdo kusht tre pikë me Poloninë që të ruajmë pozicionin dhe për të shpresuar deri në fund. Por për mua idealja është 4 pikë në këto dy ndeshje. Është e kot të flasësh për Anglinë, është skuadra më e mirë, thuajse e ka të sigurt kualifikimin. Duhet të kemi kujdes Poloninë, që është rivali jonë kryesor. Shanset varen nga ne, e kemi ne në dorë, Nëse mundim Poloninë jemi në rrugë të mbarë. Të 3 skuadrat I kemi shanset e njëjta për në ‘play off’. Jemi në kondicionin e duhur, për të arritur objektivin. Është shumë e rëndësishme që të jemi në lojë para se të shkojmë te ndeshja me Anglia.” – tha Reja.

Ai sqaroi edhe çështjen e Taulant Xhakës, duke thënë se ai nuk i është përgjigjur ftesës për të ardhur në kombëtare.

“E ka refuzuar ftesën. E kam ftuar edhe së fundmi, por ai nuk është përgjigjur pozitivisht. Më vjen keq. Më përpara ka pasur disa probleme fizike, por së fundmi nuk ka pranuar. Ka vendosur të fokusohet te klubi, është vendimi i tij, nuk na i ka thënë këtë. Më vjen shumë keq, është një lojtar me eksperiencë që do të na bënte shumë punë, por faktet janë këto.” – sqaroi Reja.