Nënkryetari i Partisë Demokratike, Alfred Rushaj, thotë se me vendimin e Konferencës së Kryetarëve u rikthye ligjshmëria në Kuvend.
Po ashtu ai shtoi se në Kryesinë e Kuvendit është rënë dakord që tre komisionet hetimore, të propozuara nga PD, të kalojnë në seancën plenare të datës 14 tetor për diskutim dhe miratim. Sipas tij nuk kishte diskutime në lidhje me kufizimin e objektit hetimor për ndonjë nga komisionet.
“Vendimi që u mor sot në konferencën e kryetarëve kishte të bënte me kthimin e ligjshmërisë për sa i përket mbledhjes së komisioneve parlamentarë.
Pas kërkesës sonë u ra dakord që të bëhen fizikisht. U diskutua dhe u ra dakord që komisionet hetimore të kalojnë në seancën e datës 14 tetor për diskutim dhe miratim.
E drejta e opozitës për të ngritur komisione hetimore është e patjetërsueshme. Nuk kishte diskutime në lidhje me kufizimin e objektit hetimor për ndonjë nga komisionet. Ne nuk tërhiqemi nga ajo që kushtetuta ka vendosur në raport me komisionet hetimore.”- tha Rushaj.