Vetëdorëzohet në polici, njëzet e tetë vjeçari Ilir Gjokaj, i dyshuari për vrasjen e ish-partneres së tij Sheila Bakija dhe plagosjen e babait të saj Shaban Bakija.
Gazeta lokale Vijesti shkruan se lajmi u konfirmua nga avokati i tij mbrojtës, avokati Srdjan ljeskovic.
Gjokaj ishte në kërkim pasi disa ditë më parë u shfaq me armë në shtëpinë e ish-partneres së tij dhe e qëlloi atë duke e lënë të vdekur në vend. Ai plagosi gjithashtu edhe ish-vjehrrin, i cili kishte dalë jashtë sapo kishte dëgjuar britma në oborr.
Si pasojë e tronditjes, humbi jetën edhe gjyshja e 19-vjeçares pasi pësoi një sulm në zemër.
Sipas raporteve në medie, Gjokaj e kërcënoi Sheilën në shtëpinë e prindërve të saj duke i thënë se “as në qiell, as në tokë nuk do të jesh me tjetër”.
“Gjaku do të derdhet për këtë çështje, jeta jote është në duart e mia.”- thuhet se ka thënë Gjokaj.