Vendosni fjalën kyçe....

Denoncimi-Të drejtat e burgosurve shiten me para, pezullohen dy punonjësit


Bashkëshortja e Martin Tushes është drejtuar në emisionin “Stop”, për të denoncuar korrupsionin brenda burgut të Reçit, ku i shoqi vuan dënimin. Mario Latoshi dhe Arnaldo Hoxha, me detyrë edukatorë, në këtë institucion të vuajtjes së dënimit, kanë kërkuar para nga Martini në këmbim të disa shërbimeve.

Mario Latoshi është përgjegjës për kontaktet e të burgosurve me familjarët. Ndërsa Arlando Hoxha ndikon në raport-vlerësimin e sjelljes së të burgosurve, kur këta të fundit kërkojnë, që koha e mbetur e vuajtjes së dënimit, t’i konvertohet në arrest shtëpie apo shërbim prove. Sipas bashkëshortes, Martinit i takojnë të gjitha këto vlerësime lehtësuese, por gjërat bëhen enkas të vështira, për të zhvatur para.

Pas publikimit të skandalit, ku dy punonjësit Laloshi dhe Hoxha, kanë kërkuar para nga një i burgosur në këmbim të disa shërbimeve, Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, ka pezulluar nga detyra dy specialistë të burgut të Reçit në Shkodër.

Sipas ministrit të Drejtësisë, janë pezulluar nga detyra Arnaldo Hoxha dhe Mario Laloshi, që të dy me funksionin specialist-psikolog në sektorin e çështjeve shoqërore pranë IEVP Reç në Shkodër.

Ministri Manja kërkoi edhe fillimin e hetimit administrativ ndaj tyre.

Denoncuesja: Atëherë, unë jam bashkëshortja e Martin Tushës. Im shoq vuan dënimin e tij  në burgun e Reçit. I ka mbetur edhe pak kohë, për të mbaruar atë dënim, që i është dhënë. Ai ka bërë një kërkesë në gjyq për shërbim prove ose arrest shtëpie, një nga të dyja. Pretendon, që me anë të sjelljes së tij të mirë, të krijojë mundësitë, që i duhen…dhe këta edukatorë, që punojnë atje janë duke ia bërë gjërat pak të vështira me thënë të drejtën, sepse ai me të vërtetë ka një sjellje të shkëlqyer atje. D.m.th nuk ka asnjë lloj problemi as me të burgosurit, asgjë…, por ata, për qëllime përfitimi, i bëjnë gjërat shumë të vështira për të, duke i thënë, që nuk mundesh, duhet të ndikojë dikush për të folur mirë për ty, këndej-andej.

Gazetari: Në çfarë forme e kanë kërkuar këtë ryfshfet? E kanë thënë troç që duan kaq lekë për të bërë këtë favor?

Denoncuesja: Po po, çdo ka qenë e drejtpërdrejtë në takimet, që ka bërë me edukatorët. Hidhu, hidhu pak dhe do bëjmë diçka për të të ndihmuar! Atëherë z. Laloshi  kërkon ryshfet në këmbim për të folur me Martinin, sepse po bëhet tani 3-4 ditë, që ne nuk kemi pasur asnjë lloj kontakti me Martinin në telefon. Zotëria kërkon, bën presione të tilla, ndalon telefonatat, ndalon bisedat në Skype, që mos kemi asnjë lloj kontakti, që ai mos ketë mundësi të shprehet, apo të thojë diçka, sepse ai çdo lloj komunikimi e ka me mua.

Gazetari: Sa lekë kërkon Mario Laloshi?

Denoncuesja: Ai si fillim ka kërkuar 100 euro dhe më vonë, duke parë duke bërë, ndoshta do të kërkojë lekë të tjera, për të na dhënë këtë mundësi komunikimi. Edhe Arnaldo Hoxha është edukator në burgun e Reçit dhe ai ka ofruar ndihmën e tij,  për ta ndihmuar kundrejt një ryshfeti. Ai ka kërkuar 200 mijë lekë, për ta ndihmuar Martinin, që të ketë… të fitojë atë kërkesë, që ai ka bërë në Gjykatë, për t’u liruar dhe duke ditur shumë mirë, që këto lloj korrupsione, janë gjëra të paligjshme, janë gjëra të padrejta, sepse atij i takon. Atëherë vendosëm, që të komunikojmë me Tv Klan, me emisionin Stop.

Pas denoncimit, agjentët e “Stop” takuan punonjësit në fjalë, të cilët në një regjistrim me kamera të fshehtë, morën përkatësisht 100 mijë lekë dhe 200 mijë lekë për të favorizuar Martin Tushen.

Qytetari: Mirë! Ulemi gjëkundi apo?

Mario Laloshi: Jo, jo, se edhe unë duhet me lëviz, ashtu.

Qytetari: Po edhe unë vonë jam, po fola me Ajtenën edhe më tha “takoji Martini me…

Mario Laloshi: Po!

Qytetari: Zotërinë, për ato numrat domethënë.

Mario Laloshi: Po, po.

Qytetari: Se i kanë mbyll, ai do të flasë me vajzën, e ka çikë vajzën sëmurë.

Mario Laloshi: E di pra, por jena marrë me atë muhabet, është problem, unë i kam çuar edhe e-mail kompanisë sot. Po duhet me u marrë, se ka problem sistemi, se do numra janë të konfirmuar dhe janë të pakonfirmuar, kshuqë pa merak.

Qytetari: Po ça mund të ndihmoj unë?

Mario Laloshi: Jo mo, thjesht duhet të regjistrohen ata numra dhe kaq.

Qytetari: I regjistron?

Mario Laloshi: Ça porosie të ka lanë?

Qytetari: Më ka lënë nja…

Mario Laloshi: Hë, se i kam fol unë Martinit,  sa t’i kalojë.

Qytetari: Tani janë 100 mijë lekë këtu. Merri, shikoji!

Mario Laloshi: Ok, ça ke bo ti?

Qytetari: Mirë o vëlla, unë isha në punë, jam lodhur.

Mario Laloshi: S’ke faj, s’ke faj. Ti nga ke ardhur?

Qytetari: Nga Tirana.

Mario Laloshi: Nga Tirana aaa.., ke ba tën’ atë rrugë.

Qytetari: Ma lanë si porosi, thashë ta heq qafe e të mos merrem. Doja të takoja edhe atë djalin tjetër unë, se ai të njihte ty, më tha që…

Mario Laloshi: Po ai djali tjetër, po është edhe ai edukatori tjetër.

Qytetari: Po isha në punë, më tha nuk e di, doja ta takoja, po mos vjen në Tiranë, ta takoja në Tiranë.

Mario Laloshi: Po ai ma ka lënë porosi mu atë pjesë, më ka thënë pa merak edhe për ça pjesën e atij…

Qytetari: Po doja të flisja një çikë, se më la nja dy porosi XXXXX.

Mario Laloshi: Ahhhhh!

Qytetari: (Flet në telefon me edukatorin Arnaldo Hoxha) Jam me këtë shokun, po është problemi, se ky ka qejf me të taku vetë. Po e di mor, po s’don, me taku ky personalisht, se don me të lënë edhe nja dy porosina të tjera, prandaj po të them. Shumë pak, ato janë me shty kohën, kështu. (flasin për lekët). Mirë takoje pra hajd, hajd!

Mario Laloshi: Dëgjo! Merre në telefon e fol me të itash edhe takoheni më vonë! Ok?

Qytetari: Vajza më tha faleminderit për atë 3-mujorshin, për të gjitha ato.

Mario Laloshi: Jo, jo! Ne bëmë maksimumin, që…,ne bëmë maksimumin, ai pa bo sjellje të mira ka marrë atë, që ka merituar. Nuk thashë se kemi.., a e kupton? Ne jena mundu me ndihmu sa më shumë që të jetë e mundur. Në fund të fundit e një o misioni, integrimi, rehabilitimi.

Qytetari: Po ça të them unë? Të mbyll këtë hall edhe…

Mario Laloshi: Faleminers!

Qytetari: Hajd ia kalofsh mirë! Ja, do t’i shkruaj tani!

Edukatori tjetër, Arnaldo Hoxha mori ryshfet 200 mijë lekë. Ky është edukatori që bën raportin për vlerësimin e sjelljes së të burgosurit.

Arnaldo Hoxha: Si kalove?

Qytetari: Mirë mo, shtyhemi. Martini them, mirë është?

Arnaldo Hoxha: Po mirë, mirë hajd, se mbaroi burgun, o burrë! Edhe aq sa ka, nja 6 muaj burg, edhe të iki në shtëpi të vet, se edhe neve s’kemi ça bëjmë, se jemi munduar me e ndihmuar në maksimum. Kam fol unë diçka me atë, po do flas me atë unë edhe pastaj do të…

Qytetari: Me sa më tha mua kjo ka hallin se në datën 4 ka gjyqin. Më tha fol me atë djalin tha, se ai ka disa lidhje,- më tha, fol si- qysh-tek, si i bëhet, se nuk është se…

Arnaldo Hoxha: Mirë më, se flas unë me atë e re…

Qytetari: Do rregullohemi,- më tha.

Arnaldo Hoxha: Po më po, po do flas, po flas me Martinin unë dhe e sqaroj.

Qytetari: Ti e di! Zgjidhe si të duash!

Arnaldo Hoxha: Unë e kam diskutuar pak si muhabet, po nuk është se ka bërë muhabet të gjatë shumë. Më kupton?

Qytetari: Të të jap këtë porosinë unë, se janë bërë çikë rrëmujë këto?

Arnaldo Hoxha: Ai ka hallet e veta.

Qytetari: 10, 11, 12, 13,14, 15, 16, 17, 18, 19, 20-të, Janë 20-të. Sqarohu edhe me Martinin, si e latë, se mua në Tiranë më ke, po të duhet ndënjë gjë, do më thotë, që ik!

Arnaldo Hoxha: Në rregull, në rregull, se do ta diskutoj me atë unë njëherë, pastaj do ashtu bashkë. S’e dija, që ke ardhë vetëm për këtë punë ti, për Zotin!

Qytetari: Po më tha “ik ma bëj këtë nder”! Erdha, ia bëra.

Arnaldo Hoxha: Kështu si ashtë ai tamam, kështu për të respektuar e për të bërë, bëhet… Jo, unë i thashë, se s’është puna aty, se unë e takoj unë atë robin tënd në Tiranë,- thashë unë,- edhe flas unë nga afër. S’i paska prit atij më duket, paska nxituar.

Qytetari: Po, se është në tension ai, në stres.

Arnaldo Hoxha: Lëne, se flas edhe me atë edhe pastaj…!

Qytetari: Fole me atë ti, po ke mundësi ta ndihmosh, ndihmoje!

Arnaldo Hoxha: Po s’bëhet fjalë, hë vëlla, po s’bëhet fjalë! Neve, ça kam në dorë unë për ta ndihmuar, nuk diskutohet ajo punë te Martini për Zotin! Mirë vëlla, se po çohemi pra, se edhe ti je për rrugë, edhe po ashtu, po rrimë në Tiranë, se numrin ta kam unë, e po flasim, e po pimë ndonjë kafe aty afër.

Qytetari: Tani ça ke në dorë aty…?

Arnaldo Hoxha: Të gjitha!

Qytetari: Se mua më tha, ndonjë gjykatës, a ndonjë kështu, që mund ta ndihmosh!

Arnaldo Hoxha: Ku ka mundësi unë ta ndihmoj, do ta ndihmoj. Do ta takoj vetë unë kur të hyj edhe po flas nga afër.

Qytetari: Fol nga afër, ça duhet!

Arnaldo Hoxha: Edhe të sqaron vetë ai pastaj, thotë kështu-kështu-kështu-kështu, nëqoftëse duhet noi gjë, për t’u ashtu, për t’u taku. Do flasim prapë!

Por bisedat e Martinit me të shoqen kishin rënë erë, ndaj në gjyq Martini nuk e përfitoi konvertimin e burgut me arrest shtëpie.

Denoncuesja: Në momentin, që ata kanë dëgjuar të gjitha bisedat, që bëhen në telefon, edhe pse jemi munduar, që mos t’i kemi shumë të drejtpërdrejta, duke e ditur, sesi është gjendja e telefonave atje, ata na kanë këputur telefonatat e para dhe e dyta momentin, që im shoq ka dalë përpara gjyqit, për të marrë tre mujorshin, shefja e edukatorëve socialë që është në burgun e Reçit, është ankuar përpara gjyqit, se tim shoqi nuk i takon, që ta marrë tre mujorin, sepse sipas këtyre, im shoq është ankuar shumë, për të kërkuar të drejtën e tij, po që nuk ka shumë lidhje, le të themi me gjërat, që ndodhin brenda burgut të Reçit, por thjesht për shkak të problemit që ai ka jashtë.

Gazetari: Si quhet kjo zonjë, kjo punonjëse, pra drejtoresha e të gjithë edukatorëve në burgun e Reçit?

Denoncuesja: Ajo quhet zonja Elvira Gjuhca.

Gazetari: Dhe ajo ka qenë prezente në gjyq, që ka bërë Martini për zëvendësimin e masës?

Denoncuesja: Ajo është ankuar dhe ka thënë, që nuk jam dakord me marrjen e tre mujorshit, sepse zotëria rri duke u ankuar, duke shkruar letra në instanca shumë të larta.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale TV Klan