Vendosni fjalën kyçe....

Gazsjellësi Nord Stream 2 nis mbushjen e tubave, pret dritën jeshile për të nisur furnizimin e BE-së


Gazsjellësi Nord Stream 2 fillon të mbushet me gaz në përgatitje për pompimin e furnizimeve drejt Bashkimit Europian, thonë operatorët, ndërsa kriza e energjisë përkeqësohet në kontinentin e vjetër.

Segmenti i parë i tubacionit nënujor Nord Stream 2 tani është i mbushur me gaz para autorizimit përfundimtar nga rregullatorët gjermanë për të hapur rubinetat, ka zbuluar kompania.

Ndërtimi i gazsjellësit Nord Stream 2 përfundoi plotësisht më 10 shtator. Sipas Gazprom, furnizimet e para me gaz në tregun evropian mund të priten gjatë këtij dimri. Nord Stream 2 AG, e cila operon me gazsjellësin, deklaroi të hënën se kishte filluar mbushjen e tubacionit të parë me gaz për të arritur presionin e nevojshëm për testimin e ardhshëm.

“Që nga 4 tetori, procedura e futjes së gazit në vargun e parë të tubacionit Nord Stream 2 ka filluar. Ky varg do të mbushet gradualisht për të ndërtuar inventarin dhe presionin e kërkuar si parakusht për testet teknike të mëvonshme”, tha operatori. në një deklaratë zyrtare.

Sidoqoftë, Nord Stream 2 AG duhet të certifikohet zyrtarisht nga autoritetet gjermane si një operator i pavarur para se të lejohen dërgesat.

Nord Stream 2 është një ndërmarrje e përbashkët e Gazprom, Royal Dutch Shell, OMV, Engie, Uniper dhe Wintershall. Tubacioni 745 kilometra i gjatë është krijuar për të dërguar gaz natyror nga Rusia në Gjermani përmes Detit Baltik.