Vendosni fjalën kyçe....

Gjykata Kushtetuese rrëzon Kodin Zgjedhor, heq pragun 1% për kandidatët e pavarur


Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar pragun 1% për kandidatët e pavarur duke rrëzuar Kodin Zgjedhor.

Padia ishte bërë nga kandidati i pavarur në qarkun Dibër në zgjedhjet e 25 prillit, Elton Debreshi.

Vendimi i sotëm i Gjykatës Kushtetueses, shfuqizon pjesërisht një pikë në nënin 162 të Kodit Zgjedhor, duke argumentuar se kandidatët e propozuar nga zgjedhësit nuk janë të barabartë me kandidatët e propozuar nga partitë politike, ose nga koalicionet e partive.

“Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë në seancën plenare publike të datës 28.09.2021 mori në shqyrtim çështjen me kërkues: Elton Debreshi, subjekt zgjedhor kandidat i propozuar nga zgjedhësit, me objekt: – Shfuqizimi i pikës 1 të nenit 162 të ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, si e papajtueshme me Kushtetutën e Republikën e Shqipërisë.

Në përfundim të shqyrtimit të kësaj çështjeje, Gjykata Kushtetuese arriti në përfundimin se pjesa e fjalisë së dytë, të pikës 1, të nenit 162 të Kodit Zgjedhor, që vendos për kandidatët e propozuar nga zgjedhësit kufizim të njëjtë me atë të kandidatëve të propozuar nga partitë politike, ose nga koalicion partish politike cenon të drejtën kushtetuese për t’u zgjedhur, në lidhje me parimin e barazisë në ligj dhe ndalimit të diskriminimit.

Për këto arsye Gjykata Kushtetuese,

VENDOSI:

– Pranimin pjesërisht të kërkesës.

– Shfuqizimin, si të papajtueshëm me Kushtetutën, të fjalisë së dytë, të pikës 1, të nenit 162 të Kodit Zgjedhor të ndryshuar, në pjesën që barazon kandidatët e propozuar nga zgjedhësit me kandidatët e propozuar nga partitë politike, ose nga koalicion partish politike.

Vendimi përfundimtar i arsyetuar do të shpallet brenda afateve të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.” – thuhet në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.