Vendosni fjalën kyçe....

Kapen 2.4 kilogramë eksploziv në Kukës, arrestohet një person e shpallet në kërkim një tjetër


Një person është arrestuar, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim në Kukës.

Gjatë kontrollit të policisë pranë fshatit Myç-Mamëz, policia ka pikasur një mjet në të cilën dyshohet se po transportohej një sasi eksplozivi.

Drejtuesi i mjetit me iniciale Sh.R, 30 vjeç, është larguar me shpejtësi sapo ka parë policinë e është shpallur në kërkim ndërsa personi që udhëtonte me të, 31-vjeçari me iniciale K.N. është ndaluar nga policia.

Gjatë kontrollit në mjet është gjetur një sasi prej rreth 2.4 kilogramësh eksploziv, që është sekuestruar.

Njoftimi

Qarkullonte me lëndë eksplozive me vete, shpallet në kërkim 30-vjeçari. Vihet në pranga bashkëpunëtori i tij. Sekuestrohen 2 kg e 400 gramë lëndë plasëse e dyshuar eksploziv. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kukës, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë në fushën e armëmbajtjes pa leje dhe lëndëve plasëse, bazuar në informacione të siguruara në rrugë operative se në një mjet kishte lëndë plasëse eksploziv, kanë organizuar punën për lokalizimin dhe ndalimin e mjetit. Shërbimet e Policisë kanë lokalizuar në afërsi të fshatit Myç-Mamëz, mjetin tip “Benz” me të cilin udhëtonin shtetasit K. N. dhe Sh. R.

Drejtuesi i mjetit shtetasi, Sh. R., sapo ka parë shërbimet e Policisë, ka braktisur automjetin dhe ka mundur të largohet. Gjatë kontrollit të ushtruar në automjet u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 2 kg e 400 gramë lëndë plasëse e dyshuar eksploziv. Në vijim të veprimeve u bë arrestimi i shtetasit K. N., 31 vjeç, banues në fshatin Qinamak, i cili ishte pasagjer në automjetin ku u gjet lënda eksplozive. Gjithashtu u bë shpallja në kërkim e shtetasit Sh. R., 30 vjeç, banues në fshatin Qinamak dhe vijon puna intensive për kapjen e tij. Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, municioneve luftarake apo lëndëve plasëse”, kryer në bashkëpunim.