Vendosni fjalën kyçe....

Letra e dorëheqjes së Ardi Veliut dhe “afati 100 ditor” – Pse u largua kreu i Policisë?


Pak momente më parë, kryeministri Edi Rama përmes një postimi në “Twitter”, konfirmoi zyrtarisht se kreu i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, është larguar nga detyra.

Ai publikoi gjithashtu edhe letrën e dorëheqjes, ku Veliu jep motivet që e çuan në këtë vendim. Në këtë letër, Veliu shkruan se ka vendosur t’u përkushtohet më shumë familjes dhe fëmijëve të tij, që tani janë në moshë delikate.

“Por në këtë moment kam vendosur të mos kërkoj një mandat tjetër dhe t’ju ofroj dorëheqjen time për t’u përkushtuar më shumë familjes dhe fëmijëve që tani janë në një moshë delikate e të cilëve iu kam munguar pafund këto katër vite.”– shkruan Veliu.

Dorëheqja e Veliut vjen në fakt në një kohë kur ai pritej të shkarkohet nga detyra, pas një afati 100 ditor që kryeministri Edi Rama i kishte vënë Policisë së Shtetit për rritjen e performancës.

“Unë dua t’ju them se keni 100 ditë kohë për ta rivënë të gjithë trupën në angazhim maksimal nga i pari tek i fundit. Asnjë ditë më shumë, vetëm 100 ditë! Që qytetarët të marrin frymë shumë të plotësuar, duke e parë Policinë e Shtetit në një nivel tjetër. Asnjë shkencë, asnjë shpikje, asnjë luftë me një të panjohur, thjesht dhe vetëm gjërat që i dini, që dini t’i bëni mirë, se ndaj jeni zgjedhur, gjërat që njerëzit duan si themelin e marrëdhënies me shtetin dhe policinë e tyre. Kjo duhet bërë në respektin e vetes, të masës dërrmuese të trupës që është korrekte dhe që nuk ka pse i paguan kostos një pjesë që duhet zhdukur nga Policia e Shtetit dhe që duhet të shkojë para drejtësisë. Në çdo qark, në 100 ditë, duhen dhënë shembujt e qartë, që nuk ka polici pa ndëshkueshmëri. Ju nuk e keni fare problem t’i gjeni, t’i kapni për krahu e t’i çoni para drejtësisë. Ky është një objektiv i palëvizshëm. Në çdo qark, policë rrugorë, komisarë, shqiponja, skifterë, qakej, që rrinë si të infiltruar brenda trupit, duhet të shkojnë para drejtësisë.”– deklaronte Rama më 8 korrik.

Tani janë plotësuar 89 ditë, siguria në vend nuk duket të jetë rritur. Përkundrazi, vetëm ditën e djeshme u ekzekutuan me armë dy persona në Elbasan. Po ashtu kujtojmë rastin e dyshimtë të avionit që u rrëzua ditën e djeshme në zonën e Kelmendit, apo vrasjen e nënkomisarit Saimir Hoxha gjatë një operacioni antidrogë një javë më parë.

Dhe tani, Veliu dha dorëheqjen 10 ditë para përfundimit të afatit 100 ditor të Ramës./Hashtag.al