Vendosni fjalën kyçe....

Nuk donin të bënin vaksinat, fshatarët në Guatemalë sulmojnë infermierët dhe u shkatërrojnë dozat e vaksinave


Banorët që ishin kundër vaksinave në një fshat në Guatemalë kanë sulmuar infermieret që po përpiqeshin të administronin dozat e Covid-19.

Siç shkruan BBC, rreth 500 persona bllokuan rrugën e fshatit dhe vandalizuan makinat e ekipit të infermierëve në Maguilá. Ata i mbajtën infermierët peng për shtatë orë.

11 punonjësit e shëndetësisë u liruan pasi policia negocioi me fshatarët, të cilët shkatërruan rreth 50 doza vaksine. Autoritetet thonë se dezinformatat online po ushqejnë rezistencën ndaj vaksinave.

Infermierët u sulmuan “verbalisht dhe fizikisht” nga banorët, të cilët shkatërruan kutitë e ftohta që ruanin dozat e vaksinave.

“Ne ishim shumë të frikësuar sepse nuk kishim përjetuar kurrë diçka të tillë. Ne thjesht po bënim detyrën tonë.”– citohet të ketë thënë një infermiere. “Ne u përpoqëm të shpjegojmë disa herë se vaksinimi është vullnetar dhe se nuk donim të detyronim askënd, megjithatë ata nuk na lanë të punojmë.”

Mediat lokale raportojnë se banorët e refuzuan vaksinën pasi një fshatar që mori një dozë kishte zhvilluar efekte anësore, të cilat u interpretuan si probleme shëndetësore të lidhura me vaksinën.

Ekspertët thonë se efektet anësore më të zakonshme të vaksinave janë dhimbja ose irritimi në vendin e injektimit. Disa njerëz kanë efekte më të theksuara si ethe, dhimbje koke, marrje mendsh dhe lodhje, por ato zakonisht janë të lehta dhe nuk zgjasin shumë.