Vendosni fjalën kyçe....

Parlamenti rumun rrëzon qeverinë e pakicës


Ligjvënësit rumunë votuan të martën për rrëzimin e Qeverisë së pakicës, të udhëhequr nga kryeministri Florin Citu.

Rënia e Qeverisë kërcënon të thellojë tutje krizën me të cilën po përballet Rumania, si pasojë e një vale të rëndë të koronavirusit dhe rritjes së çmimeve të energjisë elektrike.

Kriza në Qeveri nisi muajin e kaluar, kur partia e qendrës së djathtë USR u tërhoq nga koalicioni, duke thënë se Citu ka “qëndrime diktatoriale”.

Kjo ndodhi pasi kryeministri përjashtoi disa anëtarë të USR-së nga Qeveria e tij, përfshirë ministrin e Drejtësisë dhe atë të Shëndetësisë.

Ligjvënësit e USR-së iu bashkuan të martën partisë nacionaliste të ekstremit të djathtë AUR, për të votuar në favor të mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë, i cili u paraqit nga Partia Social-Demokrate e majtë.

Nga 318 deputetët e pranishëm, 281 votuan për mocionin, zero ishin kundër, ndërsa 37 abstenuan.

Citu, 49 vjeç, ka qenë kryeministër që nga zgjedhjet parlamentare të dhjetorit.

Sipas Kushtetutës së Rumanisë, presidenti Klaus Iohannis duhet të emërojë tani kryeministër të ri.