Vendosni fjalën kyçe....

Rama nis konsultimin publik me nxënësit dhe studentët në vend: Kushdo që është i interesuar të na bashkohet


Kryeministri Edi Rama e ka nisur nga gjimnazi ‘Ismail Qemali’, konsultimin publik me nxënës dhe studentë, për Strategjinë e Re Kombëtare për Rininë (2022-2029).

Sipas tij, kjo strategji do të prodhojë në bashkëpunim me më të rinjtë një dokument pune dhe angazhimesh konkrete të institucioneve kombëtare e vendore, “në funksion të fuqizimit të rinisë shqiptare.”

“Kam dëgjuar me vëmendje shumicën tuaj që morët fjalën, më vjen shumë mirë që erdha sepse është gjëja e duhur, por edhe sepse është një dëgjesë shumë nxitëse që të vë në mendime lidhur me gjëra që mund të duken të vogla, por që në jetën e përditshme të çdo nxënëse kanë peshën e tyre.

Ky është një proces që Bora e ka filluar si ministre e Shtetit për Rininë dhe për Fëmijët, në funksion të hartimit të strategjisë kombëtare për Rininë për të bërë një dokument i cili ndryshe nga rasti i këtyre lloj dokumenteve, të jetë reflektim i aspiratave të atyre të cilëve në fakt strategjia iu adresohet. Dhe nga ana tjetër përveç strategjisë, është një dokument me horizont disa vjeçar. Ky proces na intereson shumë për adresimin për çështje immediate ose çështje që mund të adresohen në afat mesëm. Natyrisht që do ishte mirë që të përfshiheshin sa më shumë nxënës. Natyrisht që kjo nuk është përfaqësi e vogël, pasi këtu janë nxënës nga 3 gjimnaze të ndryshme.

Ky bashkëbisedim do të vijojë për disa muaj, në mënyrë që të preken të gjithë gjimnazet e Shqipërisë. Mirë do ishte që disa prej jush të angazhoheshin për ta shtrirë më tutje këtë bashkëbisedim, duke u bërë vjelës të mendimit të shokëve dhe shoqeve të tjera që nuk janë këtu të pranishë, për t’i përcjellë këtu tek ne. ”- tha Rama duke i ftuar të rinjtë që të “lënë kontaktet” e tyre nëse duan të bashkohen.

Më pas, ai foli për disa nga pikat kryesore që u prekën nga nxënësit në këtë konsultim, duke nisur nga laboratorët që lënë për të dëshiruar të Informatikës, tek këshillimi i karrierës apo lëndët ekstra.

“E dyta, disa prej pikave që u prekën janë shumë sensitive, të domosdoshme për t’u adresuar. Në disa prej tyre kemi vendosur objektivat tona edhe në programin e ri të qeverisë. Nga domosdoshmëria për të transformuar rrënjësisht mësimin e Informatikës. Jam dakord me shqetësimet që laboratorët lënë për të dëshiruar, nga pikëpamja e cilësisë së dhënies së mësimit. Është e pakuptueshme që informatika të bëhet teorike, e jo në nivel praktik. Teknologjia avancon cdo ditë, plani që kemi për të rivitalizuar hapsirat e informatikës, do jetë efikas, do e vëmë në jetë duke nisur nga viti i ardhshëm. Më shpejt se viti tjetër shkollor.

E treta, ajo që u tha lidhur me laboratorët, është e rëndësishme. Më shqetëson që siç ndodh me informatikën bëhet investimi i parë, blihen kompjuterat e vazhdimësia nuk garanatohet.

E katërta, çështja e këshillimit të karrierës është problem shumë i mprehtë. Më vjen mirë që nuk ëshë konstatim nga lart, e dëgjova te shumica prej jush. Duhet të gjejmë rrugët e duhura për ta bërë sa më atraktiv, ka shumë rëndësi që ky proces të jetë një proces që i rrit nxënësve interesin për të eksploruar veten.

E pesta, ka të bëjë me pjesën ekstrakurikulare, është shumë e dobët në shkollat tona. Është një boshllëk i rëndësishëm në aspektin e formimit të nxënësve. Duhet të fuqizojmë shumë programin e arteve e zejeve, po në një sens më të gjerë se muzika, piktura, për të shkuar te krijimi i mundësive, janë shumë gjëra që mund të përfshihen.

Sa i përket sporteve, organizimi tërësor në shkolla dhe krijimi i një bërthame të mirë organizuar të një lëvizje olimpike, është qëllimi ynë. E kemi kthyer edukimin fizik në shkollë. Sot në shkolla jemi në nivel tjetër, sa i përket klasave e librave, por tani që gjërat bazë janë vendosur bëhen më evidente problemet e cilësisë, që e bën raportin me shkollën shumë më tepër se kaq.

Kjo ndikon më pas në shumë ç’ka tjetër që vjen më pas, për atë jam 100% me ju dhe s’ka diskutim.
Me universitetet jemi shumë mbrapa, duhet të bëjmë diplomën të barazvlefshme, që ju mos shkoni jashtë por të gjeni këtu shkollat. Për këtë na duhet kohë e durim, kemi disa hapa por këtu nuk bëhet fjalë për maturantët e sivjetshëm apo të vitit tjetër, sepse do kërkojë kohën e vet edhe ky program.
S’e kam kuptuar akoma që ju detyrojnë të printojnë gjithë kohës letra, do e kuptoj më mirë.”– u shpreh kryeministri Rama.