Pohimet e botuesve të Dosjeve Pandora se rrethi i ngushtë i Presidentit rus Vladimir Putin është pasuruar fshehurazi nuk kanë asnjë substancë dhe nuk mbështeten me prova, ka pohuar zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
Dosjet Pandora janë 11.9 milionë dokumente të rrjedhura të publikuara nga Konsorciumi Ndërkombëtar i Gazetarëve Hulumtues (ICIJ), i cili punoi me gazetarë nga mbi 117 vende, përfshirë media si ‘The Washington Post’ dhe ‘BBC’. Thuhet se është rrjedhja më e madhe ndonjëherë që ekspozon evazionin fiskal.
Në dosje janë emëruar disa rusë, dhe sipas ICIJ, vendi ‘përfaqësohet në mënyrë disproporcionale’ në dokumentet e rrjedhura. Dy nga personat e emëruar përfshijnë Konstantin Ernst, kreun e medias më të shikuar të Rusisë Channel One dhe German Gref, CEO i Sberbank, institucioni më i madh financiar i vendit.
Sidoqoftë, pavarësisht se emri i tij nuk figuron në dokumente, disa nga gazetarët që hetojnë dosjet thonë se ato tregojnë pasurinë e madhe të rrethit të presidentit, me gazetën me qendër në Londër, ‘The Guardian’ që pretendon se ajo zbulon ‘pasuritë e fshehura të rrethit të ngushtë të Putinit’.
Sidoqoftë, sipas Kremlinit, nuk ka absolutisht asnjë provë për këtë pohim.
Duke folur para gazetarëve , Peskov tha se Moska nuk ka parë ndonjë ‘pasuri të fshehur’.
“Ne nuk kemi parë asgjë të veçantë deri më tani.” – shpjegoi ai.
“Deri më tani, ka të bëjë vetëm me disa pohime dhe nuk është e qartë se në çfarë bazohen. Kjo sigurisht që nuk është një arsye për një hetim.” – shtoi Peskov.