Vendosni fjalën kyçe....

Albin Kurti: E vetmja zgjidhje e qëndrueshme dhe e drejtë është njohja nga Serbia, reciprociteti nuk është për hakmarrje


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur mbi rëndësinë që ka samiti në Slloveni, për Kosovën. Ai tha për Deutche Welle-n, se shpreson që Bashkimi Evropian t’i mbetet besnik esencës së vet që është zgjerimi.

“Prej se është formuar si projekt politik dhe proces historik i paqes dhe prosperitetit, Bashkimi Evropian është zgjeruar dhe kjo duhet të përmbyllet me përfshirjen e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor.”– tha Kurti.

Ai theksoi se Ballkani Perëndimor dhe Bashkimi Evropian janë shumë të rëndësishëm për njëri-tjetrin.

Pritet të mërkurën edhe një takim i kryeministrit Kurti me kancelaren Merkel, presidentin Macron dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiç në mesin e sesioneve të samitit. Ky është një takim i paralajmëruar nga organizatorët, tha Kurti para mediave në Brdo.

Në këtë kontekst, Kurti u shpreh se kam bindjen e fuqishme se “e vetmja zgjidhje e qëndrueshme dhe e drejtë është njohja reciproke midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, me ç’rast Serbia duhet të ballafaqohet me të kaluarën, dhe ta pranojë edhe gjenocidin në Bosnje-Hercegovinë edhe gjenocidin në Kosovë.”

Kryeministri Kurti u shpreh edhe në lidhje me reciprocitetin, vendosja e të cilit nga ana e Kosovës shënoi shtimin e tensioneve në javët e fundit mes Kosovës dhe Serbisë. “Reciprociteti është një mënyrë e shëndoshë për marrëdhënie të mira fqinjësore, të cilin ne nuk e kemi as për inat ndaj dikujt ose për hakmarrje ndaj ndokujt, por si mënyrë që derivon nga koncepti i barazisë.”

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e DW