Vendosni fjalën kyçe....

Berisha: Rama boshatisi kaskadën e Drinit prandaj u rritën çmimet


Ish-kryeministri Sali Berisha shigjetoi Edi Ramën si shkaktarin e krizës energjetike në Shqipëri duke e akuzuar se boshatisi rezervat hidrike të kaskadës së Drinit gjatë muajit gusht. 

Nga ‘Foltorja’ me demokratët e Gjirokastrës, Berisha tha se Shqipëria nuk preket nga rritja globale e çmimit të gazit, pasi përdorimi i tij në vendin tonë është i kufizuar. Ndërsa 98% e energjisë prodhohet nga burimet ujore. 

“Arritjet tona po i zhbën ky zotëria. Sot lajmi sihariqi i madh që jep kreu i meduzës është kriza që do të përpijë si lubi Shqipërinë. Cila krizë? Shikoni ca spekulanti i pashpirt që është. është rritur çmimi i gazit, por çfarë gazifikimi kemi ne në Shqipëri? Sa energji elektrike prodhojmë nga gazi ne? Zero. Nqs kriza e gazit kap një vend i cili 25% të energjisë e ka nga gazi, si do të na kap ne që 98% të energjisë e kemi nga ujërat tona. Ky është ndjellakeq i paimagjinueshëm, ky vetëm bën thirrje që lëvizni çmimet, rrisni çmimet se po rritet çmimi i gazit ndërkohë që këtu gazi përdoret për gatim dhe tek tuk dimrit për ngrohje. është kriza që kërkon të induktojë në çdo familje shqiptare. Ky vend sot ka rezervën më të çmuar në hidrike, kaskadën e Drinit, ajo ishte plot e përplot edhe në muajin gusht me 296 m. Kaskada ishte plot dhe si rezervë strategjike kaskada gjithnjë ruhet për vjeshtë. Në verë gjen më lehtë energji dhe blen. Por çfarë ka bërë zotëria me ndrikull grykësinë, ka zbrazur kaskadën, ka shitur gjatë gushtit energji masivisht. Gjer sot janë prodhuar energji 7.2 miliardë kilovat. Janë konsumuar 6, 1.2 miliardë kilovat janë eksportuar dhe tani kaskada është në vdekje klinike. Kjo është arsyeja e krizës“, deklaroi Berisha.