Avokati Dorian Matlija, në një intervistë për Hashtag.al deklaroi se për Teatrin Kombëtar u bë një betejë false dhe të gjithë dolën kundër kur lufta u mor seriozisht nga shoqata që ai mbronte.
Matlija thotë se Gjykata Kushtetuese ishte e para që dëmtoi procesin pasi e cilësoi prishjen e Teatrit si prishjen e një prone shtetërore.
Gjithashtu ai theksoi se Presidenti dhe Këshilli i Lartë i Shtetit nuk iu përgjigjën ftesës dhe nuk bënë padinë brenda një viti siç përcakton afati ligjor. Këto veprime dhe mosveprime e çuan shoqatën, sipas Matliajt kundër të gjithëve dhe të gjendur në këtë situatë u vendos tërheqja nga padia në Gjykatën Administrative.
Avokati thotë se grupimi i Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit ka bërë akuza qesharake ndaj tij dhe shoqatës që mbron duke e akuzuar se është korruptuar nga Bashkia.
Nga të gjithë veprimet juridike dhe politike i vetmi që humbi është Teatri Kombëtar thekson avokati Matlija.
Intervista e plotë:
Z.Matlija sot u bë publike që shoqata “Impetus”, të cilën ju e mbroni si avokat, hoqi dorë nga një proces në Gjykatën Administrative, objekt i së cilës kishte të bënte me Teatrin Kombëtar. Pse ky vendim nga shoqata Impetus?
Padia për Teatrin Kombëtar është hapur që në muajin korrik të vitit 2020, në kushtet kur ishim ende brenda afatit për të gjetur një zgjidhje juridike për “çështjen e teatrit”. Në atë kohë nuk ka qenë as Gjykata Kushtetuese funksionale. Shoqata Impetus ka çmuar se të gjitha veprimet që sollën prishjen e Teatrit Kombëtar, duke filluar që nga Vendimi i Këshillit të Ministrave për transferimin e pronës, Vendimi i Këshillit Bashkiak për prishjen e Teatrit dhe veprimet e IMT-së që shkatërruan godinën më 17 maj 2020, mund të goditeshin në Gjykatën Administrative, si e vetmja gjykatë që mund të rregullonte edhe pasojat, që ishte edhe synimi final i lëvizjes për mbrojtjen e Teatrit, konkretisht rindërtim i Teatrit Kombëtar, siç ishte edhe ku ishte.
Më vonë, me fillimin e shqyrtimit të çështjes në Gjykatën Kushtetuese ne kemi pritur se çfarë vendimi do të merrte kjo Gjykatë, ndaj e pezulluam procesin.
Pasi doli vendimi i Gjykatës Kushtetuese, kuptuam që kauza e Teatrit, pavarësisht se u përcoll në media si e fituar, në fakt teknikisht rezultoi një çështje e humbur.
Me falni që ju ndërpres, por përse ju thoni që vendimi i Gjykatës Kushtetuese është teknikisht humbje e çështjes së Teatrit?
Pikë së pari, dua t’ju sqaroj që funksioni i Gjykatës Kushtetuese është të shfuqizojë ato pjesë të legjislacionit që bien ndesh me Kushtetutën. Ndryshe nga çfarë e keqkuptojnë shumë persona, përfshirë edhe juristë pa eksperiencë, Gjykata Kushtetuese nuk zgjidh pasoja të një konflikti, por qëllimi i saj është të pastrojë legjislacionin nga pjesët e gabuara dhe të japë leksione për t’u pasur parasysh kur të bëhen akte të reja nga organet vendimmarrëse. Gjykata e vetme që ka të drejtë që të thotë se një akt është i ligjshëm apo jo, si dhe të zgjidhë pasojat e ligjshmërisë është Gjykata e Administrative.
Pra, po më thoni se kërkesa që u dërgua nga Presidenti i Republikës në Gjykatën Kushtetuese ishte e gabuar?
Jo, aspak nuk është i gabuar, por vendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese nuk mund të ketë efekt mbi Teatrin, faktikisht nuk i dha zgjidhje çështjes së Teatrit. Ajo zgjidhi disa parime të tjera, si për shembull, Gjykata Kushtetuese konkludoi që prishja e Teatrit të vjetër dhe ndërtimi i Teatrit të ri, nuk mund të bëhej nga një kompani e përzgjedhur paraprakisht, por duhet të bëhej me një garë të ndershme. E thënë thjesht, këtu është mbrojtur gara e ndershme. Teatri këtu prapë mbetet viktima, si ta prishë një kompani e paracaktuar, apo si ta prishë fituesi i një gare të ndershme. Parimi tjetër që mbrojti Gjykata Kushtetuese ishte ai i ruajtjes së koherencës juridike dhe luajalitetit të institucioneve, ose e thënë thjesht institucionet duhet të respektojnë vendimet e njëri tjetrit, dhe jo t’i bien njëri gozhdës dhe tjetri patkoit. Pushteti duhet t’i japë një zgjidhje të vetme një problemi, dhe jo dy apo tre zgjidhje paralelisht. Konkretisht, Gjykata Kushtetuese konstatoi se qeveria kishte një plan A: të prishte Teatrin Kombëtar dhe të ndërtonte një Teatër të ri me koncesion, me kompaninë Fusha, me fondet e kësaj të fundit. Paralelisht, pa hequr dorë nga ky plani A, pra pa shfuqizuar ligjin special që do të zbatonte këtë plan, vuri në zbatim një plan B, që ishte kalimi i pronësisë te Bashkia Tiranë dhe kjo e fundit ta prishte dhe të ndërtonte një teatër të ri, me tender dhe me paratë e buxhetit të shtetit. Plani A u bë me ligjin special i ashtuquajtur “ligji Fusha” dhe plani B u bë me VKM-në e transferimit të pronës, pasuar me Vendimin e Këshillit Bashkiak. Gjykata Kushtetuese tha se nuk mund të lejohet që të ketë dy zgjidhje juridike që synojnë të njëjtin qëllim. Pra, shkurt, në këtë gjykim u mbrojtën parime të rëndësishme për një shtet të së drejtës, por vetë Teatri nuk përfitoi asgjë. Pra, shkurt, Gjykata Kushtetuese zgjidhi problemin se kush do ta prishë Teatrin Kombëtar, firma “Fusha”, konkurrentët e firmës “Fusha” apo Bashkia Tiranë. Asnjëherë nuk u diskutua nëse Teatri Kombëtar duhej të prishej apo jo, u prish me të drejtë apo jo, për të mos folur pastaj për rindërtimin e Teatrit ashtu siç ishte dhe ku ishte.
Kjo e fundit, rindërtimi i Teatrit siç ishte, nuk është çështje parimore por është çështje teknike, kompetencën juridike të së cilës e ka Gjykata Administrative.
Pra për këtë arsye, ju vijuat procesin në Gjykatën Administrative. Ç’farë do të bënte ndryshe Gjykata Administrative?
E para, do të shqyrtonte vlefshmërinë dhe ligjshmërinë e Vendimit të Këshillit Bashkiak për prishjen e Teatrit Kombëtar që Gjykata Kushtetuese as nuk e mori fare në shqyrtim.
E dyta do të shqyrtonte ligjshmërinë e veprimeve të IMT-së, të cilat as nuk shtruan për diskutim në Gjykatën Kushtetuese. E treta, dhe më e rëndësishmja, Gjykata Administrative mund të urdhëronte rindërtimin e Teatrit Kombëtar në vendin dhe në pamjen që kishte.
Atëherë, s’po kujtoj pse ju u tërhoqët nga ky proces ligjor?
Sepse Gjykata Kushtetuese jo vetëm që nuk zgjidhi problemin, por dëmtoi rëndë dy shtyllat kryesore të padisë sonë. Shtylla e parë ishte që Teatri Kombëtar është pasuri publike dhe shteti vetëm e administron dhe nuk mund ta transferojë dhe më pas ta shkatërrojë. Shtylla e dytë ishte që Teatri vazhdonte të kishte formalisht statusin e monumentit të kulturës së kategorisë së II. Me vendimin e saj Gjykata Kushtetuese u shpreh së pari që Teatri Kombëtar nuk ishte pasuri publike por thjesht një pasuri shtetërore, duke injoruar që aty ende ofroheshin shërbime shtetërore të artit dhe kulturës përmes Teatrit Kombëtar Eksperimental. Jo më kot, në kalimin e pronësisë Bashkisë Tiranë nuk figurojnë metrat e Teatrit Eksperimental. Por, ajo që tha Gjykata Kushtetuese për ne do të thotë që shteti tashmë mund të bëjë ç’të dojë kur pasuria është thjesht shtetërore dhe jo publike, siç bie fjala janë zyrat e shtetit. Së dyti, Gjykata Kushtetuese tha që Teatri Kombëtar nuk ishte më monument kulture i mbrojtur që nga data 18 maj 2004.
Këto dy konstatime, të bëra në turravrap, në një seancë të vetme, bazuar në dokumentet gjysmake të sjella nga institucionet shtetërore, e bënë tepër të vështirë që ne t’i kundërshtonim ato në një gjykatë të zakonshme siç është Gjykata Administrative, pavarësisht që ne i konsiderojmë tepër të gabuara dhe ka prova për këtë.
Një arsye tjetër pse ne u tërhoqëm ishte se ne padinë e kishim ideuar që nga fillimi si një mjet që mund të shfrytëzohej eventualisht nga Presidenti i Republikës dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit, si të vetmet institucione që kishin mbajtur zyrtarisht një qëndrim pro tetarit, kur në përfundim të shqyrtimit të çështjes nga Gjykata Kushtetuese, kur të mos fitohej teknikisht çështja e Teatrit, siç ne e prisnim, këto institucione të kishin një shans të vërtetë për të zgjidhur çështjen.
Presidenti i Republikës dhe Kontrolli i Latë i Shtetit nuk e ushtruan vetë të drejtën e padisë brenda afatit ligjor 1 vjeçar, që parashikon ligji. E vetmja padi që u ngrit brenda afatit ligjor, ku jo rastësisht këto dy institucione u thirrën prej nesh si palë të interesuara, ishte padia e shoqatës Impetus.
Mirëpo, të dy këto institucione nuk iu përgjigjen pozitivisht ftesës sonë me shkresë zyrtare dhe me letër të hapur publike. U gjendëm të rrethuar me kundërshtarë nga të katër anët. Nga përpara luftohej kundër një pushtetit të fuqishëm, siç është Kryeministria dhe Bashkia Tiranë, nga lart Gjykata Kushtetuese na kishte dëmtuar seriozisht çështjen, nga pas u ndjemë të sulmuar edhe nga institucionet e vetme të deklaruar pro kauzës së Teatrit që nuk pranuan ftesën tonë, dhe për më keq, Presidenti i Republikës reagoi disa herë zyrtarisht kundër këtij procesi, për arsye që vështirë t’i kuptojmë dhe kundër interesit real të Teatrit, si dhe nga qoshet luftoheshim nga një grup i zhurmshëm, të vetëshpallurit si qëndrestarë dhe të faktorizuar nga Presidenti i Republikës, që nuk bëjnë gjë tjetër veçse bëjnë rrëmujë vetëm dhe idetë e publikut për këtë çështje, u bë e pamundur për ne që jo vetëm ta fitonim çështjen, por minimalisht të paktën të kishim një pozicionin ku të shiheshim si përfaqësues realë të interesit publik. Përfaqësueshmëria është një kriter që shikohet me vëmendje nga gjykata dhe kjo e fundit nuk po kuptonte pse ata që duhej të ishin me ne ishin kundra nesh.
Praktikisht i paktën të gjithë kundër. Jo vetëm ata që prishën Teatrin, por edhe ata që gjoja vdesin për Teatrin. Dhe qershia mbi tortë ishte vështirësia që na shkaktoi Gjykata Kushtetuese. Është e pamundur t’i kërkosh një gjykate të zakonshme që të tregohet “më e zgjuar” se Gjykata Kushtetuese, e cila, për shkak të menaxhimit të keq të çështjes nga Presidenti i Republikës, fiksoi disa fakte gabim, brenda një seancë të vetme dëgjimore, me provat gjysmake të paraqitura nga institucionet, duke prodhuar një vendim që është pika e errët e Teatrit dhe shtrembërim i jurisprudencës, por për këtë të fundit nuk na del koha e kësaj interviste për ta shpjeguar plotësisht.
Ajo që nuk po kuptoj, nisur sa ju shpjegoni, pse e ashtuquajtura Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, pas daljes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese, por edhe me kërkesën tuaj për tu tërhequr sot nga procesi i Gjykatës Administrative, i konsideron këto procese, si të fituara të tyre?
Fillimisht dua të them se ata nuk dinë se çfarë flasin. Ata kanë nevojë për një avokat, sinqerisht. Pjesëtarë të këtij grupi janë vazhdimisht në përpjekje për t’i dhënë rëndësi vetes dhe po faktorizohen edhe nga Presidenti i Republikës. Ata u futën si palë e tretë në gjykimin kushtetues pa sjellë ndonjë vlerë të shtuar. Të vetmet argumente që dhanë nuk u morën fare parasysh nga Gjykata. Ai gjyq ishte i Presidentit të Republikës dhe jo i tyre. Kallëzimet penale të bëra në SPAK nga ky grup janë tepër të dobëta dhe diletante. Një pjesë janë rrëzuar nga SPAK dhe ata sot kanë nisur të kallëzojnë SPAK-un dhe ambasadorët vetëm e vetëm që të mos diktohet nga publiku niveli i tyre diletant dhe dështak. Një pjesë tjetër e kallëzimeve, pavarësisht nivelit të dobët nuk janë rrëzuar sepse janë bashkuar në kallëzimin e Partisë Demokratike, që është i vetmi kallëzim domethënës për Teatrin. Kështu është procedura. Edhe sikur kallëzimi të jetë bërë nga një person me 2 klasë fillore, ai bashkohet me një kallëzim tjetër nëse ky i fundit është i saktë. Disa anëtarë të këtij grupi ngatërrojnë të gjithë dynjanë për shkak të nevojës së tyre për të kontrabanduar veten në çdo ngjarje që ndodh për Teatrin. Vështirë të gjesh arsye tjetër logjike përveç nevojës për të marrë sadopak vëmendje publike, duke uruar që nuk janë duke u shpërdoruar nga ndonjë akrobat politik që bën sikur e do Teatrin.
Por nga ana tjetër, ky grupim ju vendos nën akuza, për padi korruptive në bashkëpunim me Kryeministrin Edi Rama, dhe kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj?
Akuza është qesharake. Kanë bërë një kallëzim në SPAK dhe i është rrëzuar në të gjitha instancat. Disa individë prej këtij grupimi kanë trilluar lloj-lloj shpifjesh, të cilat do të gjejnë zgjidhje tek gjykata civile në gjyqin për shpifje që do të niset prej nesh së shpejti.
Do të vijë dita që ata do të kërkojnë ndjesë publikisht, me pahir, të urdhëruar nga gjykata.
Por kjo pak rëndësi ka për këtë moment. Ajo që ne na vjen realisht keq, është që Bashkia e Tiranës sot ka dritën jeshile dhe do të vazhdojë projektin e ndërtimit të Teatrit të ri, pa u penguar nga askush dhe pa gjyqe nëpër këmbë. Kaq mjafton për publikun që ka dy pare mend në kokë, që të kuptojë se sa fitoi realisht Teatri. Për publikun që do të thellohet më shumë, mjafton të ngrejë dy pyetje pas nxjerrjes së VKM-së së re për transferimin e pronës, fill pas Vendimit të Gjykatës Kushtetuese, në fund Korrikut 2021:
1- Përse Presidenti i Republikës nuk po e çon edhe këtë VKM në Gjykatë Kushtetuese, sic veproi me VKM-në e parë, ligjin special apo edhe vendimin e Këshillit Bashkiak?
2- Përse Presidenti i Republikës është fuqimisht kundra dhe nuk do fare që të ekzistojë një gjyq në Gjykatën Administrative për këtë çështje?
Në këtë situatë të komplikuar s’po e marr vesh, kush dreqin humbi dhe kush dreqin fitoi në këto procese gjyqësore?
Humbi Teatri Kombëtar dhe dashamirësit e tij. Fituan të gjithë të tjerët. Fituan kompanitë e ndërtimit të drejtën për të marrë pjesë te gara e ndershme për të ndërtuar Teatrin e ri. Fitoi Bashkia e Tiranës të drejtën për të vazhduar planin e vet. Fitoi lavdi populiste Presidenti i Republikës. Fituan mundësinë e klimaksit edhe ca njerëz përpara një publiku të iluzionuar. Fituam edhe ne, si dhe dashamirës të tjerë të kauzave publike një eksperiencë nga e cila mund të nxjerrim leksione.