Pas vendimit të Gjykatës Administrative të Tiranës për pushimin e çështjes së prishjes së Teatrit Kombëtar për mungesë komptetence, regjisori Edmond Budina tha se kjo është një fitore e rëndësishme po jo përfundimtare.
Si një nga përfaqësuesit e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, Budina theksoi se do luftojnë deri në fund që Teatri të ndërtohet aty ku ishte e ashtu siç ishte dhe që përgjegjësit për prishjen e tij të mbajnë përgjegjësi ligjore për dëmin.
Po kështu ai lëshoi akuza ndaj përfaqësuesit të shoqatës ‘Impetus’, Gjergj Bojaxhiu e avokatëve Dorian Matlija e Irena Dule si bashkëpunëtorë të dyshes Rama-Veliaj për prishjen e teatrit.
“Shumë kanë këmbëngulur që këtë lëvizjen tonë ta kthejmë në një shoqatë, në një fondacion dhe ky fondacion duhet të merrte para publike, sugjerim që na u bë edhe nga kryebashkiaku Veliaj. Të gjitha shoqatat e fondacionet që marrin para nga shteti është se i shërbejnë pushtetit. Ne kemi kaq kohë që kërkojmë që kjo çështje të mos shqyrtohet këtu, Gjergj Bojaxhiu dhe avokatët Matlija e Dule kanë luftuar që të bëhej këtu, sepse i shërbejnë pushtetit. Ne arritëm një fitore të rëndësishme po jo përfundimtare. Kjo tregon se qytetarët e ndershëm që këmbëngulin për të drejtat e tyre në mos sot, nesër do ia arrijnë qëllimit. Ne do e çojmë deri në fund luftën tonë dhe do kërkojmë që jo vetëm teatri të ndërtohet ku ishte e si ishte por duhet të paguajnë ata që bënë këtë dëm. Duke nisur që nga kryeministri, kryetari i bashkisë, e të gjithë puthadorët e puthakëmbësit e tyre. Teatri aty ku ishte ashtu siç ishte. Luftë deri në fund.” – tha Budina.