Vendosni fjalën kyçe....

“I vlerësuar nga amerikanët” – Njihuni me kreun e ri të Policisë së Shtetit, Gledis Nano


Duke nisur nga sot Policia e Shtetit ka një drejtues të ri, 40-vjeçarin nga Skrapari, Gledis Nanon.

Ai vjen në postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, një ditë pas dorëheqjes së Ardi Veliut.

Emërimi i tij erdhi si propozim nga ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi dhe është miratuar nga Këshilli i Ministrave, me firmë të zv. kryeministrit Arben Ahmetaj.

Gledis Nano ka qenë pjesë e Policisë prej rreth 20 vitesh, duke mbajtur detyra të rëndësishme.

Që prej 17 shkurtit 2016 ai ka qenë në krye të Drejtorisë së Antiterrorit. Në këtë post që e ka mbajtur për 5 vite me radhë, ai ka drejtuar operacione të vështira, siç ishte riatdhesimi i qytetarëve shqiptarë nga kampi i ferrit në Siri “Al-Hol”, zbulimi i një celule terroriste që planifikonte sulme në Tiranë, dëbimi i diplomatëve iranianë, etj.

Si pjesë e Antiterrorit në Policinë e Shtetit, por jo si drejtues, ai është kujdesur për njërën prej dosjeve më të bujshme, atë të “imamëve” që u arrestuan dhe dënuan për terrorizëm.

Gjatë viteve të karrierës, Gledis Nano është vlerësuar herë pas here nga Policia e Shtetit por me punën si drejtues i Antiterrorit ra dhe në sy të amerikanëve, pasi në gusht të këtij viti u vlerësua nga ambasadorja Yuri Kim me certifikate vlerësimi.

Gledis Nano e ka kaluar Vettingun e Policisë dhe tashmë në detyrën e re, do të përballet me sfida të vështira.

 Në një deklaratë për mediet sot, ministri i Brendshëm Bledi Çuçi tha se drejtori i ri Gledis Nano ka sfida të rëndësishmë përpara: “Z.Nano që zëvendëson Veliun, një oficer karriere, pa diskutim që ka një sfidë për ta çuar përpara këtë performancë të shkëlqyer të policisë në këto vite.”