Presidenti i Republikës Ilir Meta ka reaguar lidhur me samitin që po mbahet në Slloveni mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.
Ai thotë se mesazhet e sotme në samitin BE-Ballkani Perëndimor janë inkurajuese. Presidenti Meta shprehet mirënjohës për mbështetjen politike dhe ndihmën e gjithanshme që BE vazhdon që t’i japë Shqipërisë dhe gjithë Rajonit.
“Mesazhet e sotme të Samitit BE-Ballkani Perëndimor janë inkurajuese.
Perspektiva europiane e rajonit jetësohet përmes reformave të besueshme, në themel të të cilave qëndrojnë parimet dhe vlerat europiane të demokracisë, të drejtave themelore dhe sundimit të ligjit.
Mirënjohës për mbështetjen politike dhe ndihmën e gjithanshme, që Bashkimi Europian vazhdon t’i japë Shqipërisë dhe gjithë rajonit tonë, si partner i parë dhe i natyrshëm ekonomik, duke qëndruar plotësisht të linjëzuar në qëllimin e përbashkët strategjik të zgjerimit.
Plani Ekonomik i Investimeve dhe Agjenda e re për Inovacionin duhen shfrytëzuar maksimalisht për të rimëkëmbur ekonominë dhe frenuar shpopullimin e mëtejshëm dramatik të vendit.
Bashkëpunimi rajonal duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe të përqendrohet në zbatimin e zotimeve të ndërmarra. Bishtnimi ndaj këtyre zotimeve dhe parcelizimi i rajonit kundërprodhojnë më shumë ndasi dhe konflikte artificiale të padobishme, dhe bien ndesh me rrugën europiane të vendeve tona.”- shkruan Meta.
Mes të tjerash, presidenti përsëriti rëndësinë që ka nisja e shpejtë e negociatave të anëtarësimit si dhe liberalizimi sa më parë i vizave me Kosovën.
“Duke përshëndetur Presidencën sllovene të BE dhe të gjitha vendet e tjera anëtare për zhvillimin e këtij Samiti të posaçëm për Ballkanin Perëndimor, ripërsëris rëndësinë, që ka nisja e shpejtë e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe liberalizimi sa më parë i vizave me Kosovën, një premtim që kërkon zbatim urgjent.”- shton Meta.