Vendosni fjalën kyçe....

Ministrja Kushi jep lajmin: Shtyhet fillimi i vitit të ri akademik, që studentët të bëjnë vaksinat


Shtyhet nisja e mësimit në universitete. Lajmi është bërë i ditur vetëm pak minuta më parë nga ministrja e Arsimit, Evis Kushi.

Zonja Kushi shprehet se ky vendim është marrë me qëllim për t’u dhënë kohë studentëve që të bëjnë vaksinën kundër Covid-19. Sipas saj, kjo ka qenë kërkesë e rektorëve të universiteteve.

Ministrja kërkon nga universitetet sa më shumë bashkëpunim dhe koordinim me strukturat e Shëndetësisë, ndërsa studentëve u bën thirrje që ta shfrytëzojnë këtë javë për të bërë vaksinën.

“Të dashur studentë,
Së pari dua t’ju falenderoj të gjithë ju që i jeni bashkuar procesit të vaksinimit dhe po na ndihmoni që së bashku t’i rikthehemi normalitetit në të gjitha universitetet e vendit. Meqënëse fillimi i vitit të ri akademik po afron dhe ne duam që të gjithë ju, pa përjashtim, të hyni në auditore pa rrezikuar shëndetin tuaj dhe të stafeve akademike, javën e ardhshme e kemi shpallur si ‘Java e vaksinimit masiv të studentëve’.

Shumë faleminderit edhe një herë Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale që shprehu menjëherë gatishmërinë që në të gjitha fakultetet dhe universitetet e vendit të vendosë në dispozicion ekipet e tyre të vaksinimit, për të mundësuar mbarëvajtjen e këtij procesi.
E që kjo javë të jetë sa më produktive, me kërkesë të Konferencës së Rektorëve, viti i ri akademik do të fillojë zyrtarisht në datën 18 tetor, me qëllim që nga data 11-17 tetor të gjithë së bashku të jemi të fokusuar vetëm në procesin e vaksinimit të studentëve.
Nga universitetet do të kërkoja sa më shumë bashkëpunim dhe koordinim me strukturat e shëndetësisë, për të venë në dispozicion të gjitha hapësirat e nevojshme për studentët dhe personelin e vaksinimit, ndërsa studentëve do t’u lutesha me gjithë zemër e do t’i inkurajoja fort që ta shfrytëzojnë edhe këtë mundësi të re, me qëllim që viti i ri akademik të jetë sa më i mbarë e i suksesshëm.
Kam shumë besim që ju, të dashur studentë, do të na provoni edhe këtë herë që jeni pjesa më vitale dhe progresiste e shoqërisë sonë.
Faleminderit dhe shumë suksese të gjithëve!”- deklaron ministrja Kushi.