Ka nisur protesta e paralajmëruar në rrjetet sociale kundër rritjes së çmimit të bukës, kafes, energjisë elektrike dhe karburanteve.
E menjëherë që në nisje duket se ka patur diskutime mes protestuesve, kjo pasi njëri prej tyre mbante një flamur të Partisë Demokratike.
“Nuk duam t’i japim ngjyrime politike protestës. Ju lutem partitë larg, partitë larg.”- tha një prej protestuesve.
Qytetarët janë mbledhur me pankarta në duar përballë Kryeministrisë duke kërkuar ulje të çmimeve.
Aktori i humorit Florian Binaj është paraqitur në protestë me një pankartë në të cilën shkruhej “Faleminderit Nusr_Edi”, duke i kujtuar kryeministrit Edi Rama darkën e famshme të ministrave dhe zyrtarëve të tjerë të lartë të qeverisë.
“Jeni të mrekullueshëm. Jemi të gjithë për të njëjtën çështje, sepse për çdo veprim që bën qeveria paguajmë ne. Nuk është e drejtë. Bravo shumë të gjitëve që jeni këtu dhe faleminderit që keni ardhur.”– tha Binaj.
Më pas, të njëjtën pankartë e prezantoi edhe një zonjë e cila e konsideroi kryeministrin “kryehajdut”.
“Ju lutem mor njerëz, nuk kemi lekë me hangër bukë e jo me pagu taksat e Edi Ramës, drogën e Edi Ramës.”– tha zonja.
Një tjetër protestues theksoi se janë mbledhur sot para Kryeministrisë, pasi nuk kanë ndërmend të paguajnë gjithmonë qytetarët për krizat e qeverisë.
“Jemi mbledhur pa asnjë arsye politike, që qeveria të bëjë atë që ka për detyrë të bëjë, që në rast krizash të ulë shpenzimet/blerjet e saj dhe të ndihmojë qytetarët e varfër.
Nuk mund të vazhdojë të paguajmë ne për çdo krizë të qeverisë. Ne jemi sovrani.”– tha protestuesi.
Pedagogu dhe një nga organizatorët e protestës, Adriatik Lapaj, tha se e vetmja mënyrë për të marrë zgjidhje është përmes protestave, duke kundërshtuar rritjen e çmimeve.
Ai shprehet se vendi ynë ka shumë nevojë të dëgjojë pa zbukurime të vërtetën e popullit të vet, ashtu sikurse e vërteta është.
“Protesta është individuale. Fjala që po mbajnë qytetarët tregon se sa e sinqertë është kjo protestë. Në fakt ky vend ka shumë nevojë të dëgjojë pa zbukurime të vërtetën e popullit të vet ashtu si ajo është. Kam disa pyetje:
A keni mundësi të paguani energjinë?
A keni mundësi të paguani për rritjen e çmimit të bukës?
A keni mundësi të paguani për rritjen e çmimit të gazit, karburanteve?
A keni ju të ardhura për të jetuar me dinjitet?
Të dashur vëllezër dhe motra ne sot këtu duhet të ishim më shumë. Hallet tona mund të zgjidhet vetëm duke qëndruar duke u thënë JO rritjes së çmimeve. Ju që nuk keni ardhur, a nuk u ngopët? Dhe sa do të duroni? Për çfarë? Që vetëm një dorë e kësaj republike të bëjnë pushime luksozë dhe të kenë shtëpi në të gjithë botën? Kthehuni tek interesat tuaj dhe të fëmijëve tuaj, boll më punuat për interesin e drejtuesit tuaj”- tha Lapaj.
Mes të tjerëve, e mori fjalën edhe Pano Soko i “Nismës Thurje” i cili ka deklaruaar se çmimi i energjisë elektrike rritet me qëllim për të mbuluar vjedhjet qeveritarët.
Ai theksoi se askush nga politikanët në qeveri, duke nisur nga kryeministri Edi Rama, nuk e vrasin fare mendjen për rritjen e çmimeve pasi vetë nuk kanë vajtur ndonjëherë në dyqan.
Soko tha se qeveritarët e mbajnë popullin të varfër, me qëllim që ta kontrollojnë sepse në të kundërt nuk e kontrollojnë dot.
“Unë do flas pak se të flasësh shumë nuk është se bën diferencë. Dëgjoni, nuk e bëjnë sepse s’munden, nuk po rrisin çmimet sepse s’kanë mundësinë ti mbajnë poshtë sepse është tregu siç thonë.
Jo mor jo, e bëjnë sepse duan të vjedhin, e rrisin çmimin e energjisë për të mbuluar vjedhjet. Dhe ky është realiteti. Çdo gjë që flasin, që dëgjoni nëpër banaqet televizive, jo po tregu, jo po kriza. Janë të gjitha sajesa. E bëjnë për të mbuluar vjedhjet e tyre, mos e harroni këtë. Sa herë që dëgjoni gjëra të tjera, janë gënjeshtra, janë mbulesa.
Ata duhet ta rrisin çmimin e energjisë sepse humbjet janë katastrofike dhe si do i mbulojnë ata? Me lekë. Po ku do i gjejnë lekët? Do na i marrin ne.
Këtë kanë bërë gjithmonë dhe këtë do vazhdojnë të bëjnë.
Ju mendoni se këta e vrasin mendjen shumë për çmimet?! Ju mendoni se e vrasin mendjen se u rrit vaji me 1 mijë e 500 lekë? Apo se apo vajti domatja me 1 mijë e 500?! Ata s’e vrasin mendjen fare.
As kanë vajtur ndonjëherë në dyqan. Kush ble në dyqan?
Ky?! Ky ka qëkur ka ardhur, ka qenë ministër, ka qenë kryetar bashkie, ka qenë kryetar i opozitës, sot është kryeministër. Kur ka vajtur ndonjëherë në dyqan ky për të parë çmimet?! Asnjëherë!
E gjitha bëhet për t’i hedhur hi syve njerëzve, për t’i mbajtur njerezit të varfër sepse kështu i kontrollojnë. Po u bëtë ju të pasur atëhere nuk ju kontrollojnë dot më. Prandaj po ju mbajnë të varfër. Kjo është.
Prandaj duhet të bëhemi bashkë përballë kësaj, përballë këtyre, përballë këtij. Bashkë për të treguar se këtu është limiti. Nuk kalon përtej kësaj.” – tha Soko. / Hashtag.al