Vendosni fjalën kyçe....

Një orë nga nisja e protestës kundër rritjes së çmimeve – Dezinformimi “infektoi” edhe Ambasadën Amerikane


Shoqëria Civile ka paralajmëruar një protestë sot përpara godinës së Kryeministrisë kundër rritjes së çmimeve të bukës, kafes, dritave dhe karburantit.

Protesta pritet të mbahet në orën 17.00.

“Ja ashtu rastësisht! Kam një punë dhe rruga më bie nga: Kryeministria të mërkurën, ora 17:00.”-shkruhet në një nga posterat e përgatitur për këtë protestë, të publikuar në rrjetet sociale.

Mirëpo duket se ka një tendencë në medie dhe në rrjetet sociale, për të dizinformuar se kush e organizon zyrtarisht këtë protestë. E pre e këtyre dizinformatave ra edhe Ambasada Amerikane.

Në një njoftim në faqen e saj, ambasada i bën thirrje qytetarëve amerikanë që jetojnë në Shqipëri që të shmangin zonën ku do të zhvillohet tubimi.

“Qytetarët amerikanë këshillohen të shmangin çdo tubim të madh në qytet. Ndërsa shumë organizime të mëdha publike mund të zhvillohen në mënyrë paqësore, disa situata mund të ndryshojnë shpejt dhe në mënyrë të paparashikueshme.”– thuhet në njoftimin e Ambasadës.

Mirëpo lidhur me faktin se kush janë organizatorët, Ambasada Amerikane, është ngatërruar duke shkruar se është PD organizatore e protestës.

Këtë fjali Ambasada e korrigjoi pak minuta më vonë pasi PD e përgënjeshtroi këtë informacion.

“Nuk jemi ne organizatorët e Protestës. Me sa jemi në dijeni protestën e organizon Adriatik Lapaj e të tjerë nga shoqëria Civile, nga ne mund të marrin pjesë deputetët, por jo organizator.”- ka njoftuar PD përmes “Syri TV”.

Pavarësisht se opozita nuk është organizatore, ka thënë se do i bashkohet kësaj proteste. “Protesta organizohet nga shoqëria civile, të cilët kanë dalë dhe personale publike që kanë kërkuara që të organizojnë protestë. Nuk është organizuar nga PD, por çdo formë rezistence ne e mbështesim. Arsyeja se përse po zhvillohet kjo protestë është më e rëndësishmja.”– ka deklaruar deputeti Ervin Salianji, në një intervistë.

Ndërkohë është edhe grupi tjetër brenda PD-së që ka disa aktivitete. Aktivistja shqiptaro-amerikane Evi Kokalari, thotë se protesta sot është në Gjirokastër dhe jo në Tiranë.

Kjo pasi ish-kryeministri Sali Berisha ka organizuar atje tubimin e radhës. Protesta e thirrur sot në Tiranë shihet nga Kokalari si një tubim i organizuar nga PD, për t’i marrë vëmendjen ish-kryeministrit.

“Njerëz, protesta është në Gjirokaster, jo tek Kryeministria. Me kë tallet Lul Basha?”- shkruan ajo,

Ndërkohë nga ana e Policisë së Shtetit nuk ka ende asnjë reagim për protestën në fjalë. Nuk ka të dhëna nëse efektivët do të jenë para Kryeministrisë dhe sa do të jetë numri i tyre, për të garantuar sigurinë por edhe për t’u kujdesur për zbatimin e rregullave të parandalimit të përhapjes së COVID-19.

Kjo protestë vjen vetëm pak ditë, pasi kryeministri Edi Rama pranoi se edhe vendi ynë po prekej nga Kriza Energjetike Botërore dhe paralajmëroi edhe për një rritje të çmimit të energjisë elektrike. Kujtojmë se edhe ditën e djeshme në Shkodër, u zhvilluan protesta kundër rritjes së çmimeve të energjisë elektrike e ushqimeve.

Protesta zgjati rreth 30 minuta e mes qytetarëve që dolën në shesh kishte pensionistë, sindikalistë, studentë, përfaqësues të biznesit të vogël, persona të trajtuar me ndihmë ekonomike, si dhe qytetarë të thjeshtë. /Hashtag.al