Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka folur sot në një intervistë për median spanjolle “El Pais” lidhur me Samitin e BRDO që mbahet sot në Slloveni.
Ai ka deklaruar se Shqipëria shkon në samitin pa pritshmëri të larta, përkundrazi nuk pret asgjë pasi sipas tij Europa nuk është në momentin e saj më të mirë.
“Ne kemi mësuar rrugën e vështirë për të mos pritur asgjë, sepse kemi parë që Evropa nuk është në një moment shumë të mirë, me shumë probleme të brendshme dhe zgjerimi nuk pritet me entuzizëm.”- është shprehur Rama për samitin.
Duke komentuar vizitën e Presidentes së KE në Tiranë dhe deklaratat e saj se do të punojnë për zhbllokimin e procesit këtë vit, kryeministri Rama u shpreh se “Ne kemi dëgjuar fjalë për shumë vite dhe asgjë nuk ka ndryshuar. Von der Leyen flet në emër të Komisionit, por Komisioni është një gjë, Këshilli është një tjetër, fjalët e bukura janë një gjë, faktet një tjetër… Në këtë proces ka pasur gjithmonë një, dy, tre shtete anëtare që janë kundër. Tani është Bullgaria, kështu që për ne është më mirë të mos presim, sepse kur prisni, duhet të ndjeni turpin e refuzimit”.
Më tej, kryeministri shqiptar këmbëngul se integrimi i Shqipërisë në BE është një “nevojë” dhe se nuk ka alternativë tjetër. “Evropa është zgjedhja jonë dhe feja jonë”, thekson ai, duke shtuar se “Jo sepse na kërkohet, por sepse është e ardhmja jonë. Atëherë, ajo që ndodh në Bruksel nuk varet nga ne as nuk më shqetëson mua…. Unë nuk jam pesimist, por nuk dua të humbas më shumë energji duke u ankuar”.
Gjatë kësaj interviste, Rama ka folur pak edhe për Kosovën dhe synimet e dy vendeve për bashkim.
“Sigurisht që ne duam të bashkohemi me ta, por brenda gjithë mënyrës së anëtarësimit në BE. Tani për tani, Kosova është peng i një procesi të papërfunduar të paqes me Serbinë. Kjo vjen e para. Pastaj pjesa tjetër.”– thotë Rama.