Kreu i Qeverisë Edi Rama, ka publikuar fjalën e plotë të mbajtur në samitin e BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor.
Fjalën e Ramës e mban kryesisht kritika ndaj BE-së dhe qasjes së saj për të zvarritur anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
“Ja ku jemi. Të mbledhur 18 vjet pas samitit të Bashkimit Europian me Ballkanin Perëndimor në Selanik; koha që i duhet një bebeje për t’u bërë votues, pjesëtar me të drejta të plota i një bashkësie politike. Nëse i krahasojmë shënimet mes dy samiteve, mund të thuhet pa frikë se koha ka ndalur. Ngjashmëria mes fjalëve të shkruara atëherë dhe atyre sot është mbresëlënëse. Me një përjashtim. 18 vjet më parë fjala “zgjerim” ishte kredoja tingëlluese e të ardhmes. Sot e njëjta fjalë është bërë jehonë e ndrojtur e të shkuarës. Po njësoj, politika e re e zgjerimit duket sikur i bën jehonë politikës së vjetër të kufizimit. Por, “është ajo që është”, siç do të thoshte zotëruesi i mëparshëm legjendar i Zyrës Ovale. Dhe unë nuk do të bezdis asnjë këtu me liturgjinë e ankesave që të gjithë ju i dini mirë.
Përpjekjet e Maqedonisë së Veriut për të larë hesapet me të kaluarën e qepur këmba-këmbës pas saj, në emër të një të ardhmeje të ndritur europiane, nisën rreth 15 vjet më parë me statusin e vendit kandidat. Vendi shkoi aq larg në ato përpjekje, sa ndërroi edhe emrin. Po prapëseprapë nuk mjaftoi për të nisur as dhe një Konferencë Ndërqeveritare në Zoom me BE-në, drejt një procesi integrimi që mund të marrë edhe 18 vjet të tjera, përpara se sa anëtarësimi i plotë në BE të shfaqet si një fund i lumtur i mundshëm (që i bie në total 33 vjet nga marrja e statusit të vendit kandidat ose, me fjalë të tjera, mosha e Jezu Krishtin të gozhduar në kryq)” është shprehur kryeministri Edi Rama.
Kryeministri Edi Rama më tej thotë se shqiptarët janë populli më pro-evropian dhe për ta është e dhimbshme që të dëgjojnë BE të thotë se detyrat janë bërë, por duhet të presim.
Kreu i qeverisë shqiptare u shpreh se e ka humbur besimin që Bullgaria të hapë rrugën për çeljen e negociatave.
“Unë i kam ndarë tanimë disa mendime rreth kësaj pune me bashkëqytetarët e mi. Siç ju mund ta kuptoni, kjo nuk është dhe aq e lehtë. Shqiptarët janë bashkësia më pro-europiane rretherrotull Europës, si rrjedhojë e një të kaluare të zymtë izolimi ekstrem nga Imperializmi Amerikan dhe Social-Imperializmi Sovjetik. Pas rënies së komunizmit, ne mundëm më në fund të zgjedhim lirisht për herë të parë në histori, se me kë donim të bashkoheshim. Dhe zgjodhëm njëzëri Bashkimin Evropian. Është disi e dhimbshme për shqiptarët të dëgjojnë prej Europës përsëri e përsëri që, po, sigurisht, Shqipëria i ka bërë detyrat e saj, por prapëseprapë të se shohin BE-në që ata aq shumë e adhurojnë, fatkeqësisht mund të mos e mbajë fjalën e dhënë. Është ajo që është.
Ne ishim vendi i fundit që u qëndruam idealeve të komunizmit edhe pasi çdo vend tjetër në Europë i kishte braktisur ato. Mbase do të jemi shteti i fundit që do t’i qëndrojmë idealeve të BE-së edhe kur, kushedi, anëtari i fundit i Unionit do të ketë ndaluar së besuari në to. U kam thënë bashkëqytetarëve të mi që ne duhet të mësohemi me premtimet tuaja të pambajtura, pa e humbur pasionin, vullnetin, horizontin e transformimit të Shqipërisë në një shtet plotësisht funksional, mbi parimet dhe standardet e Bashkimit Europian. Këtë ia kemi borxh fëmijëve tanë, jo Brukselit, jo Berlinit, jo Parisit.
Natyrisht, shumë më e lehtë ta thuash se sa ta bësh. Ja, provojeni për një çast, si udhëheqës të zgjedhur nga njerëzit që jeni të gjithë, se sa kollaj mund të mbijetohet politikisht në rrethanat surreale që ky proces, prej kohësh totalisht i paparashikueshëm, krijon – ku dalja në pritë e Bullgarisë së fundmi, shënon vetëm kthesën më të re kreative në këtë film, jo të vetmen.
Me keqardhje e them që unë e kam humbur besimin se Bullgaria do të jetë në gjendje ta lirojë rrugën shpejt, sepse miqtë tanë bullgarë duken të zënë në kurthin e zjarrit që e ndezën për të ngrohur votuesit me flakët e një të kaluare plot lavdi. Ndoshta atyre votuesve as që u bëhet vonë që kanë marrë peng dy shtete, të cilat sipas të tëra hesapeve janë të pafajshme dhe krejt në rregull me detyrat. Por ama duhet t’i bëhet vonë BE-së, sepse po humbet fytyrën në sytë e popujve të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Tanimë unë mundem vetëm të shpresoj, që kjo bllokadë pa sens të mos kthehet në një histori pa fund