Udhëheqësi konservator i Gjermanisë, Armin Laschet, ka thënë se është gati të japë dorëheqjen si kreu i Unionit Kristian Demokratik (CDU) më pak se dy javë pas zgjedhjeve që nxori humbëse partinë që drejton përballë rivalëve Social Demokratë.
60-vjeçari tha se do të kërkonte një kongres special të CDU për të përcaktuar “të ardhmen dhe riorganizimin” e udhëheqjes së partisë.
Laschet ka marrë përgjegjësinë personale për rezultatin më të keq elektoral të konservatorëve (24,1%) në historinë moderne gjermane.
Njoftimi, të cilin shumë vëzhgues e prisnin, erdhi pasi Social Demokratët-të cilët përfunduan të parët në votimin e 26 shtatorit-vendosën të vazhdojnë bisedimet paraprake javën e ardhshme me të Gjelbrit dhe FDP-në neoloberilste me qëllim formimin e një koalicioni trepalësh.
“Ne do të trajtojmë shpejt pyetjen e ekipit të ri CDU, të presidentit të tij dhe përfshirë ekzekutivin federal,” tha Armin Laschet në Berlin, më pak se një vit që nga marrja e drejtimit të partisë së Angela Merkel.
“Që nga tërheqja e Angela Merkel nga drejtimi i partisë ne kemi pasur një debat të pandërprerë” për lidershipin e ardhshëm, shtoi ai.
Sipas gazetës Bild, kongresi i jashtëzakonshëm i CDU -së mund të mbahet në dyjavorin e parë të dhjetorit në Dresden.