Gjykata e Posaçme e Apelit ka dënuar sot me 15 vite burg Domart Konjarin, duke lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë.
Konjari i cili prej disa vitesh është në kërkim, u gjykua edhe në Apel në mungesë, për drejtimin e një grupi kriminal për trafik kokaine dhe heroine.
Emri i Konjarit përmendet gjithashtu si i përfshirë direkt ose indirekt në disa vrasje për trafikun e drogës. Në dosjen e tij përmendet vrasja e 29 gushtit të vitit 1998, kur është ekzekutuar Gentian Dervishi, i njohur ndryshe me nofkën “Gent Kadaifi”.
Emri i Konjarit del edhe në vrasjen e ndodhur në vitin 2003, në qytetin Rene të Francës, ku u vra Erion Murati për një mosmarrëveshje për trafikun e drogës. Lista e atentateve ku dyshohet se ishte përfshirë Konjari, vijon me ngjarjen e 3 gushtit të vitit 2005 në Tiranë, ku u ekzekutua Fatjon Naxhaku.