Nxënësit e shkollës 9-vjeçare ‘Selam Musai’ në Babicë të Vlorë e zhvillojnë mësimin në një lokal në qendër të fshatit. Shkak për këtë është mospërfundimi në kohë i rindërtimit të mjediseve të godinës së shkollës.
Ndërsa fëmijët e klasës së parë e të dytë e zhvillojnë mësimin në një bar-kafe, shkruan Shqiptarja.
Sipas mësuesit të klasës së parë, deri në qershor ata kanë bërë mësim me turne në shkollat e Vlorës, po për shkak të vështirësisë së transportit, u gjet si zgjidhje zhvillimi i mësimit në lokal.
“Biseduam me prindërit dhe vendosëm t’i sillnim këtu fëmijët. Kjo është një zgjidhje emergjente kur nuk ke të tjera, jo se është tamam zgjidhje. Ata nuk donin t’i lëviznin fëmijët.” – thotë mësuesi Ilir Deromema.
Ndërkohë drejtoresha Arsimore e Vlorës, Alma Bakiu, ka pretenduar se nxënësit e shkollës ‘Selam Musai’ zhvillojnë mësim me turne në shkollën ‘Teli Ndini’.
Ndërkaq pronari i një tjetër subjekti në po të njëjtën godinë thotë se mësueset i luteshin për të negociuar qiranë, ndërsa fajësoi bashkinë e Vlorës që nuk ka përfunduar në kohë rikonstruksionin e shkollës.